Sa shumë tabu, Lisbona tokë e “mallkuar” për Juven, por Allegri beson
Juve synon të qëndrojë në lojë për 1/8 e Champions, por për të mbajtur të gjallë këtë objektiv duhet me çdo kusht të fitojnë përballë Benfikës në Lisbonë. Ky nuk është një mision i lehtë, duke parë që lista e dëmtimeve në shtëpinë e “Zonjës së Vjetër” është shumë e gjatë (Pogba, Di Maria, Chiesa, Bremer, Paredes dhe De Sciglio).
Jo vetëm fati i keq, Juve do të ketë përballë një rival që këtë sezon nuk ka pësuar ende asnjë humbje, 15 fitore dhe 4 barazime, mes kampionatit dhe kompeticioneve të tjera, qëndron në kuotën e 8 pikëve në grup po aq sa edhe PSG. Lisbona është një fushë e mallkuar për Juven, nuk kanë fituar asnjë herë aty, as kundër Benfikës e as kundër Sporting.
Allegri duhet të bëjë llogari me një tjetër detaj jo pozitiv, ekipit të tij i mungon fitorja në transfertë në Champions prej më shumë se një viti. Pavarësisht këtyre detajeve, Juve vjen në një moment të mirë, vjen në këtë transfertë pas dy fitoreve radhazi në Serie A, 5 gola të shënuar, asnjë i pësuar.