Rudina i tha se kishte sjellje seksiste, Sazan Guri dhe moderatorja replikojnë ashpër në Facebook

Një muaj më parë Sazan Guri ishte i ftuar te “Rudina” në TV Klan për të folur për raportin e lumturisë në Kosovë e Shqipëri. Gjatë diskutimit me botuesen Arlinda Dudaj në studio, teksa kjo e fundit tenton ta kundërshtojë, ambientalisti i thotë “Të keqen vëllai se je bërë dhe simpatike sot”.

Rudina këtë sjellje të Gurit e ka cilësuar seksiste e madje ja tha edhe përballë.

“Ke sjellje seksiste gjithë kohës duhet ta korrigjoj. E ke të theksuar këtë dhe s’është hera e parë që ndodh,” i thotë ajo. Asokohe Sazani e mori me sportivitet dhe i tha se sjelljen seksiste e kishte pjesë të lumturisë.

Por ndërkohë që ka kaluar një muaj nga intervista, Guri është “kujtuar” për debatin dhe ka sulmuar ashpër në Facebook përmes një postimi Rudinën. Ai madje thotë për prezantuesen ka harxhuar kohë nga vetja dhe i ka bërë gjithë emisonin.

“Miq të dashur, më erdhi kjo video se nuk e kisha parë as vetë! Po kapët ndonje sjellje ”seksiste” time gjatë një bisede për lumturinë e njeriut, aman ma thoni që ta kem parasysh për herë tjetër….. t’ju vesh pa pikë interesi, t’ju bësh emision, të harxhosh kohë nga vetja dhe të etiketohesh kështu…këta qofshin, flm, e me respekt per secilin nga ju që do kushtojë pak kohë…” shkruan ai.

Nuk ka munguar as replika e Rudinës në komente, e cila e konsideron këtë postim të tij aspak dinjitoz dhe thotë se “fisnikëria nuk tregohet me gjithkënd bujare”.

“Përshendetje, Sazan! Meqë paske ngritur këtu tabelën e qitjes e rri bën sehir, po të them që minimumi të më kishe thirrur me një tag në këtë pazar anadollak: do kishte qenë më e denjë nga ana jote.
E dyta, nëse akoma s’e ke kuptuar që ndërhyrja ishte seksiste, s’paske për ta kuptuar asnjëherë. Një kompliment jo me patjetër është seksist, por në varësi të kontekstit po. Kur një bashkëbiseduese të kundërshton me argumenta, ti pse i përgjigjesh me komplimente për pamjen e saj dhe pse jo për mendimet e saj, fjala bie? Ky është një mesazh i nënkuptuar, që bashkëfolesen nuk e merr seriozisht në debat dhe kjo sjellje quhet sjellje seksiste. Dhe sigurisht që më takonte të ta vija ne dukje, persa kohe kjo ndodh ne studion time dhe sa herë ndodh në studion time. S’po permend ketu gjuhen intimiduese me heret, që ta tolerova për fat të keq, e që në këtë video gjithashtu konstatohet fare lehte.
Dhe se treti, me duhet të të kujtoj sa herë ke ardhur në programin tim, këtu e vite përpara, që në fillimet e tua publike, nëse s’i mban mend, interesi ka qenë reciprok dhe ti këtë e di mirë. Dhe s’është aspak dinjitoze nga ana jote të shprehesh si më lart. Madje edhe këtë diskutim mund ta kishim bërë ndryshe, shumë më profesionalisht, por mesa duket fisnikeria nuk tregohet me gjithkënd bujare. Sa keq!” shkruan ajo. /News31