Rritja e rasteve me koronavirus, epidemiologu: “Infermiere e papërgjegjshme, u këshillua të izolohej”

Epidemiologu Ilir Alimehmeti ka qenë në një lidhje direkte me “Dita Jonë”, ku ka treguar se rritja e rasteve me koronavirus ditët e fundit e ka një shpjegim.
“Në Shqipëri nuk kemi pasur kurrë kurbë, por një plan të rrafshët. Luhatja e shifrave ditët e fundit erdhi si pasojë e dy vatrave që e ngritën shumë bilancin: një “call center” dhe një infermiere e papërgjegjshme, e cila ka infektuar një numër shumë të madh njerëzish, ndërkohë që kishte simptoma të qarta dhe ishte këshilluar që të qëndronte në shtëpi e izoluar. Në vend të izolimit, ajo takonte njerëz sipas dëshirës”, shpjegoi Alimehmeti.
Sipas tij, pavarësisht shifrave, virusi është dobësuar: “Në prill, kemi pasur më pak se 20% të rasteve aktive të shtruar në spital. Në maj, përqindja ka qenë më pak se 10%. Kjo tregon dobësim të virusit. Por, edhe pse është më i butë, prapë virusi mbetet mes nesh”.
Alimehmeti nënvizoi se stina e ngrohtë “është aleati jonë kundër virusit” dhe theksoi se plazhi është vend i sigurt: “Nuk ka asnjë provë që në det apo rërë të jetë gjetur gjurmë virusi. Të bllokosh plazhin dhe të lësh “call center”-in hapur është mungesë koherence në vendimmarrje”.
Kur u pyet për një valë të dytë të koronavirusit, mjeku u shpreh: “Ka disa skenarë: në rastin më të keq do të vijë një valë e dytë, që do të jetë më e fortë sesa e para. Kjo, duke parë se çfarë ka ndodhur me viruset e tjera gjatë historisë. Në rastin më të mirë, virusi po dobësohet dhe nuk e ka më fuqinë e transmetimit te njeriu. Ka dhe skenarë të tjerë mesatarë, që, si në rastin e tërmetit, ka një goditje të fortë dhe pasgoditje më të lehta”.