Rrëzimi i avionit në Nepal: Pilotja ishte e martuar me pilotin që vdiq në aksidentin e vitit 2006

Bashkë-pilotja e fluturimit të Yeti Airlines që u rrëzua të dielën në Nepal ishte e veja e një piloti të po të njëjtës linjë ajrore që gjithashtu vdiq në një aksident me avion 16 vjet më parë.

Në vitin 2010, Anju Khatiwada iu bashkua Yeti Airlines, për të ndjekur gjurmët e bashkëshortit të saj. Dipak Pokhrel ishte pilot për linjën ajrore nepaleze, por vdiq kur një aeroplan i vogël pasagjerësh me të cilin po fluturonte u rrëzua disa minuta para uljes.

Anju Khatiwada ishte një nga pilotet e fluturimit nga Katmandu, qytet në Nepal, që u rrëzua teksa iu afrua qytetit Pokhara të dielën, duke vrarë të paktën 68 njerëz në aksidentin më vdekjeprurës me avion në tre dekada në Nepal.

Asnjë i mbijetuar nuk është gjetur deri më tani në mesin e 72 personave në bord. Khatiwada nuk është identifikuar, por ajo dyshohet se ka vdekur.

Aeroplani ATR-72 që drejtonte Khatiwada u rrotullua nga njëra anë në tjetrën përpara se të rrëzohej pranë aeroportit në Pokhara dhe të merrte flakë, sipas dëshmitarëve okularë.

Gati 350 njerëz kanë vdekur për shkak të përplasjeve të avionëve ose helikopterëve në Nepal që nga viti 2000. Nepali është shtëpia e tetë nga 14 malet më të larta në botë, përfshirë Everestin, dhe ndryshimet e papritura të motit përbëjnë rrezik.

Anabelmagazine