Rrëfimi i trishtë i Nagelsmann: Babai im ishte spiun sekret dhe vrau veten
Trajneri i Gjermanisë, Julian Nagelsmann, ka folur në të paktat herë për vdekjen e babait të tij, për të cilin ai zbuloi se punonte në shërbimet sekrete të vendit të tij përpara se t’i jepte fund jetës 16 vjet më parë.
Nagelsmann, i cili do të drejtojë kombëtaren si vend pritës në “Euro 2024” këtë verë rrëfeu se ishte në një kurs stërvitor kur iu tha për vdekjen e babait, Ervin. Në pjesën më të madhe të rinisë së tij ai kishte besuar se Ervini ishte ushtar përpara se të mësonte se ai ishte një operativ i shërbimit federal të inteligjencës gjermane.
“Nuk më lejohet të them asgjë më shumë për këtë dhe as nuk e di saktësisht se çfarë ka bërë ai”, – tha Nagelsmann në një intervistë për Der Spiegel.
“Megjithatë ai nuk ishte në administratë. Isha 15 ose 16 vjeç [kur më treguan]. Shpesh në udhëtime për stërvitje nga Landsberg, ku jetonim, për në Mynih [ai e përmendte punën]. Pastaj, thoshte shumë pak. Atij nuk i lejohej të fliste për punën e tij. Kjo ishte edhe arsyeja që ai shpesh thoshte se kjo ishte e tepërt për të. Nuk kishte asnjë ndarje të shqetësimeve të punës së tij. Në fund kjo e rëndoi shumë” – thotë Nagelsmann.
Ai kujtoi se po përpiqej të kuptonte arsyet e vdekjes së babait të tij.
“Kjo ishte e vështirë. Babai im nuk la asnjë shënim vetëvrasjeje, nuk kishte asnjë shpjegim. Por mënyra se si ai mori jetën e tij e bëri të qartë se vendimi i tij ishte absolutisht i qartë për të. Është një ndjenjë vërtet e keqe për familjen, por më ndihmoi të dija se ai me të vërtetë donte të vdiste dhe nuk bëhej fjalë për një thirrje për ndihmë apo një sinjal. Mendoj se duhet ta respektoj një vendim të tillë.
Babai im ishte në fakt një njeri shumë gazmor që bënte shaka dhe qeshte gjithmonë. I pëlqente të ishte me miqtë, të luante kitarë dhe të këndonte gjithmonë. Por unë mendoj se ishte një kombinim i ngarkesës së tij të punës dhe gjendjes së tij të përgjithshme. Nga fundi i jetës së tij ai kishte ndryshuar; presioni i karrierës së tij ishte i dukshëm” – thotë ai.
Marsin e kaluar Nagelsmann u shkarkua nga Bayern Munich pas gati 2 vitesh në krye në Allianz Arena. Bayern është në kërkim të një trajneri të ri pasi njoftoi se Thomas Tuchel do të largohet në fund të këtij sezoni duke u joshur nga Xabi Alonso i Bayer Leverkusen. Nagelsmann paralajmëroi, megjithatë, se koha nuk është gjithmonë një luks që u ofrohet drejtuesve të Bayernit.
“Unë kam nënshkruar me Bayern me kushtin se do t’i ndryshoja gjërat, Ka klube që të japin kohë. Jürgen Klopp ishte në Liverpool për 5 vjet para se të bëhej kampion atje për herë të parë. Pep Guardiola fitoi titullin e Ligës së Kampionëve me Manchester Cityn vetëm pas 7 vitesh. Trajnerët e Bayern Munich nuk kanë aq shumë kohë për të zhvilluar diçka” – tha ai. ©LAPSI.al