Rrëfimi i Kristi Pinderit: Mëkati më i madh? Kur takova babain për herë të fundit dhe…

Hera e fundit kur ngrite kokën lart nga Zoti?
Zakonisht unë e ul kokën para Zotit. Nëse e ngrej lart, gjë që ndodh shumë rrallë, do të thotë se jam shumë i mërzitur me Perëndinë. Është pothuajse shenjë rebelimi. Hera e fundit ishte ditën kur fjeta për herë të parë në shtëpi pa nënën time. Rreth 11 muaj më parë.
Mëkati më i madh që ke bërë, e që të kanë bërë?
Dy janë ndoshta mëkatet më të mëdha që kam bërë: kur takova për herë të fundit tim atë, pasi e dëgjova që fliste në fund kur u ndamë u ndjeva i lehtësuar për faktin që i vërtetova vetes se, në fakt, nuk e dua. Sigurisht edhe u lehtësova për faktin se vërtetova që nuk e urrej. Mu duk një njeri i largët, i zakonshëm e ndoshta edhe fatkeq. Por u ndava me premtimin që i bëra vetes për ta respektuar e për t’iu gjendur pranë në rast se do e tejkalojë mediokritetin e vet e do më kërkojë të më ketë pranë. Mëkati i dytë, këto ditë, kur dyshova për herë të parë në ekzistencën e Zotit.
Kujtimi i fundit më i ëmbël, dhe ai i hidhur?
Kujtoj momentin që duke dashur të dukesha i fortë para nënës sime, po përpiqesha ta fshija fytyrën e përlotur. Ajo e kuptoi dhe buzëqeshi. E ktheva kokën vetem për një apo dy sekonda: ato dy sekonda shikimi në fytyrën e saj të paqtë më duket se janë kujtimi më i bukur e domethënës që kam… Ndërsa kujtimin më të hidhur, nuk dua ta them.
Paratë që shpenzove së fundi, dhe pse?
Taksat e prapambetura të makinës si dhe ushqime të parapërgatitura që u hoqa sikur i kisha gatuar unë, në një darkë me miq.
Kur përjetove qiellin e shtatë?
Duke zbritur shkallët Fakultetit. Ditën e fundit para diplomimit më dukej se fluturoja e mendoja: Mund të bëhem kryeredaktor i një media, mund të bëhem drejtor, mund të bëhem deputet i mirë për njerëzit, mund të bëhem kryeministri më cool. Nuk i pashë më kurrë shkallët e atij fakulteti dhe ndjej trishtim edhe sot kur mendoj që disa derra kriminelë të veshur me imunitetin akademik mund të vrasin ëndrrat e studentëve.
Sa kohë ka kaluar kur ndjeve mungesën e gjysmës tjetër?
Sot. Erjoni, partneri im nuk është në Shqipëri (ai udhëton shpesh) dhe më duket ditë shumë e paplotë.
E keqja e të qenit çift për ty?
Mendon si në çift. Por kur ndodh të veprosh apo të ëndërrosh si tek, fillon e ndihesh në faj. Është një ndjesi faji e çuditshme.
Nëse do të ishe mashkulli i vetem i rruzullit, si do i menaxhoje femrat?
Nëse veç meje do të kishte vetëm vajza apo gra dhe asnjë djalë të rritur, do të ishte keq shumë.
Kur ke shkëmbyer mesazhe dashurie për herë të fundit?
Mesazhe dashurie kam kohë që nuk shkëmbej, në formën klasike. Por marr shumë mesazhe të tilla nga të panjohur.