Rrëfimi i blogeres së udhëtimeve, Rovena Domi: Ç’përjetova në “Bali, ishullin e perëndive”, dhe pse s’bëhem pjesë e “BBVIP”

Klotilda Harka

Rovena Domi është miss-i shqiptar, që solli çmimin “Miss Fotozhenia” në Shqipëri, me përfaqësimin e vendit në “Queen of the Ëorld 2010”, që u mbajt në Nurburgring të Gjermanisë para disa vitesh. Ajo tërheq vëmendjen me stilin e bukur të jetës, ku spikat pasioni për të eksploruar botën, nga metropolet me qytetërime historike e deri tek vendet, ku të mahnit natyra e mrekullueshme. Destinacioni i saj i fundit ishte Bali, një ishull dhe provincë indoneziane i veçuar si një ndër ishujt më magjepsës në botë, që ndryshe quhet “Ishulli i perëndive”. Për impresionet në vendin e konsideruar si “parajsa e botës”, i renditur në listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, dhe gjithçka rreth jetës jashtë kamerave, Rovena, një blogere e vërtetë udhëtimesh, na i zbulon në këtë intervistë për revistën “Story”.

E pasionuar pas udhëtimeve. Si e përjetove këtë herë eksplorimin në Bali, çfarë të mahniti vërtet atje?

Udhëtimi në Bali ishte vërtet një eksplorim më vete, si një nga destinacionet më të preferuara të mijat.

Ç’të mahniti në peizazhin e kodrave dhe maleve, brigjeve të ashpra dhe plazheve me rërë, tarracave të harlisura të orizit dhe shpateve vullkanike?

Më mahniti kjo bukuria natyrore e larmishme që e karakterizon një vend si Bali, dhe kultura e veçantë që përcjellin e trajtojnë turistët.

Si turiste që udhëton shpesh nga një vend në tjetrin, të tërheqin më shumë metropolet apo destinacionet me natyrë dhe kafshë të mrekullueshme?

Nga pikëpamja e udhëtares, le të themi që destinacionet me natyrë dhe kafshë të mrekullueshme janë më të veçanta dhe relaksuese, por një preferencë e imja janë dhe metropolet me qytete historike dhe të mëdha. Nuk mund t’i veçoj pasi më duken një plotësim i njëra-tjetrës, për një udhëtim të kompletuar.

Si një ish-Miss, ndodh që në vendet ku shkon të të pikasin për projekte në modë, kinema apo biznese të bukurisë?

Duke parë këndvështrimin tim dhe përvojen nga konkurset e bukurisë, sigurisht që projektet mbi modën apo kinemanë janë më të dominuese. Nuk mungojnë bisedimet dhe ofertat konkrete mbi angazhime të tilla për modën, kinemanë, tv, etj.

E nëse në Bali do të gjeje dashurinë, do të kishe jetuar atje?

Me keqardhje e them qe jo! Të jetosh përfundimisht në një vend si Bali nuk është njësoj me të qëndruarit apo të shijuarit me atë të një pushimi. Unë jam mësuar me jetesën në vende europiane, dhe përshtatem më së miri në vende të tilla, sesa në këto destinacione të largëta.

Si një blogere udhëtimesh, të ka shkuar ndonjëherë në mendje të bësh një emision tëndin ndërsa eksploron botën?

Faleminderit për vlerësimin! Do më pëlqente të ndaja me publikun ndjesitë dhe eksperiencat personale të udhëtimeve të mia. Sigurisht që mënyra më e mirë është ai i realizimit të një emisioni televiziv. Nuk do e refuzoja!

Ndërkohë me eksperiencën dinamike të jetës, nga një vend në tjetrin ke shumë për të treguar para një audience të gjerë. Do kishe marrë pjesë në një format si “Big Brother Vip”, për të bërë diferencën mes banorëve, me jetën e jetuar?

Unë nuk jam aspak një natyrë paragjykuese për të tjerët, përkundrazi përshtatem më së miri, por izolimi nuk bën për mua! Nuk do e përballoja dot! Por që them me bindje që një format i tillë si “Big Brodher VIP” duhet vlerësuar për suksesin si format.

Ke zgjedhur ta shijosh jetën larg kamerave dhe televizionit. Ç’është fama për ty?

Televizioni kërkon një angazhim shumë të madh, dhe unë realisht preferoj një jetë larg trysnisë së kamerave. Më pëlqen kur fama vjen natyrshëm, dhe unë të tillë e kam mirëpritur në jetën time që nga fillimet e mia në fushën e spektakleve të misse-ve. dhe televizionit.

Si bukuri mesdhetare që je me cilën artiste të njohur ndodh që të të krahasojnë?

Më pëlqen krahasimi me bukuritë mesdhetare. Do preferoja një krahasim me bukurinë e Monica Bellucci-t, dhe atë të Penelope Cruz.

Në konceptin tënd për fuqinë e bukurisë femërore, e sheh veten si miss-i që manifeston ende paqen në botë, apo Helena e Trojës që bëhet shkaktare e luftës? (Figurative) kjo?

(Haha)Sigurisht që si një miss që manifeston paqen në botë, e jo luftën (qesh).

Gjithmonë je shprehur për forcën e femrës. Sa i përket sukesit në politikë te cila gjini beson më shumë në drejtimin e vendit?

Unë kam studiuar dhe jam diplomuar në fushën e jurisprudencës. E  sigurisht që me bindje e them që femrat në politikë janë të suksesshme, gjithashtu edhe në atë të drejtimit të një vendi.

/www.story.al