Rrëfimi i 32-vjeçares greke: Si u plagosa në atentatin ndaj shqiptarëve
Rrëfimi i 32-vjeçares greke të plagosur nga ngjarja e përgjakshme e së dielës në Athinë ku u ekzekutuan 2 shqiptarë është rrëqethëse. Ajo është qëlluar me plumb në bark, por pavarësisht plagës së rëndë, jeta e saj duket se nuk është në rrezik.
Vajza, e cila ndodhet jashtë rrezikut në spital ka folur me efektivët e policisë. Ajo ka përshkruar me detaje momentet e tmerrshme që ka përjetuar. Sipas dëshmisë së saj, duket se e ka shpëtuar nga fakti që po qëndronte në këmbë në lokal.
“Për fat isha në këmbë”, – ka theksuar ajo, pasi në të kundërt, plumbi do ta kishte goditur në kokë.
“Unë isha me motrën time në lokal. Ishim në këmbë dhe po flisnim me pronarin e lokalit. Isha me shpinë dhe nuk e pashë autorin kur hyri. Dëgjova të shtënat dhe pashë panikun në lokal. Në fillim, nuk e kuptova se isha i lënduar derisa pashë gjakun. Fatmirësisht ishim në këmbë. Përndryshe plumbi do të më kishte goditur në kokë”, – citohet në dëshminë e 32-vjeçares.
Mediat greke shkruajnë se autoritetet e kanë përqendruar punën tek konfliktet e mafias shqiptare. Viktimat, 44-vjeçari Armando Organja dhe 41-vjeçari Kreshnik Çerçizaj kanë qenë të dënuar për grabitje, drogë dhe armë. Nuk përjashtohet që të dy të kishin llogari të hapura me botën e krimit edhe në Shqipëri.
Sipas të njëjtave burime kemi të bëjmë me një larje hesapesh nga bandat rivale. Dy viktimat ishin të njohur në zonë. Ata vendosin gjoba tek bizneset duke u ofruar atyre “mbrojtje”.
Autoritetet flasin për një ekzekutues profesionist dhe me përvojë. Mënyra si ai ka vepruar ka qenë absolutisht e saktë dhe pa gabime. Ekzekutori që mbante një maskë anti-covid dhe me kapuç kishte vëzhguar më parë sheshin përpara se të hynte në kafene. Në pak sekonda ai zbrazi 9 plumba. ©LAPSI.al