
Rrëfimi/ Historia e ish-punonjësit të trenit, Eriseld Zeneli, që sot punon në Parlamentin Europian: Erdha në Itali në vitin ’95 bashkë me nënën time
Në vitin 1992, babai i tij hipi në një gomone nga Shqipëria në kërkim të një të ardhmeje për familjen e tij. Fillimisht zbarkuan në Pulia, pastaj u nisën drejt Savignos. Aty i çoi puna, e gjetur falë fjalës së gojës.
“Në vitin ’95 mbërritëm edhe unë dhe nëna ime, unë nuk kisha mbushur ende tre vjeç. Italia dhe Bolonja janë shtëpia ime, por për të ndërtuar të ardhmen time, më është dashur të largohem jashtë vendit. Shumë paragjykime dhe shumë pak mundësi për ne të rinjtë. Nëse e quajnë ‘ikje të trurit’, ka një arsye”.
Dy herë i detyruar të emigrojë
Historia e Eriseld Zenelit, 33 vjeç, është historia e një emigrimi të dyfishtë. Nga Shqipëria në Bolonjë dhe nga Bolonja në Luksemburg, ku sot punon për Parlamentin Evropian.
“Do të doja t’i ktheja Italisë atë që më ka dhënë në arsim duke qëndruar në Bolonjë, por nuk ishte e mundur. Tani e bëj nga Luksemburgu, ku jam punësuar në përfaqësim të Italisë”.
Për Zenelin, Italia është vendi i tij; Shqipëria është thjesht rrënja e familjes dhe gjuha amtare. Mbërriti në Savigno kur ishte ende fëmijë, aty bëri shkollën fillore dhe të mesme, u diplomua në “Rosa Luxemburg”, ndërsa prindërit e tij, me sakrifica të mëdha, blenë një apartament të vogël në Monteveglio.
Nga punëtor i thjeshtë në master me notën maksimale
“Nuk kam ndjekur rrugën klasike – tregon Zeneli –: pas diplomës shkollore fillova punë si nëpunës, sepse familja ime ishte e varfër dhe nuk mund ta përballonte universitetin”.
Pas disa vitesh kursen para dhe, duke punuar, regjistrohet në Shkencat e Edukimit. Më pas kryen një master në Psikologjinë e organizatave, të cilin e përfundon me rezultate të shkëlqyera.
“Pastaj kërkova një punë tjetër dhe u punësova si kapotren për Trenitalia. Punoja në trenat Frecciarossa për tre vite dhe arrita të blej një shtëpi në Bolonjë në vitin 2021, por kuptova se nuk do të kisha më shumë mundësi për të ecur përpara”.
Ai e përmbledh situatën në dy fjali:
“Italia nuk i vlerëson dhe nuk i mban talentet e reja. Dhe unë, me atë emër, mbiemër dhe vendlindje në dokumente, hasa shumë dyer të mbyllura”.
Paragjykimet dhe “ndryshimi i emrit” për vëllain
Edhe në Bolonjë paragjykimet ishin të forta.
“Gjithmonë më kanë parë si të huajin, sidomos në vitet e para në Savigno. U bë më mirë në gjimnaz, por kur kërkoja punë, mjaftonte të shihnin emrin tim dhe më stigmatizonin”.
Për këtë arsye, kur lindi vëllai i tij gjashtë vite më vonë në Bolonjë, Zeneli këmbënguli që prindërit ta quanin Giulio.
“Do të kishte në dokumente qytetin e Bolonjës, një emër italian dhe një mbiemër që mund të maskohej. Nuk doja të kalonte atë që kalova unë”.
Nga treni në Parlamentin Evropian
Pas disa vitesh punë të lodhshme, Zeneli vendosi të lërë vendin e sigurt të punës dhe në vitin 2022 aplikoi për një praktikë në Parlamentin Evropian, që ofrohej për të diplomuarit me rezultate të shkëlqyera.
“Bëra 7 muaj praktikë dhe pastaj më ofruan një vend pune të përhershëm. Sot punoj në departamentin e personelit të Parlamentit Evropian në Luksemburg. Në Itali do të përballesha gjatë me një punë të pasigurt dhe të paguar pak; këtu paguajnë mirë dhe të lejojnë të ecësh përpara, edhe pa një sfond të pasur familjar.
Unë, djali i një shoferi kamioni që erdhi me gomone dhe i një amvise, sot punoj këtu dhe nuk përjetoj paragjykime. Në Luksemburg nuk e kam ndier kurrë peshën e origjinës sime, nuk ndihem më i huaj. Gjykohesh vetëm nga puna që bën: nëse e bën mirë, përparon; nëse jo, bie poshtë”.
Një histori që frymëzon
Një postim i tij në rrjetet sociale, ku tregon historinë e jetës së tij me një foto si fëmijë në Shqipëri dhe një tjetër në moshën 33-vjeçare ulur në Parlamentin Evropian, po bëhet viral në Itali dhe Evropë. Në të, Zeneli rrëfen rrugën e tij të vështirë dhe u bën thirrje të rinjve të mos dorëzohen.
Por shpreh edhe një reflektim të hidhur për Italinë:
“Kjo përvojë përfaqëson realitetin e një brezi të tërë që e do Italinë, por shpesh është i detyruar të largohet për t’u realizuar. Një fenomen që, edhe pse i heshtur, ka një kosto shumë të madhe për vendin tonë”.
Ai e thotë hapur:
“Italia të përgatit shumë mirë, jashtë vendit të hapin dyert, por pastaj nuk të mban pranë, edhe kur ti do t’i ktheje diçka nga ajo që të ka dhënë”.
Dhe për Bolonjën?
“E dua shumë, por është njësoj si vendi. Do të doja të takoja kryetarin e bashkisë Lepore dhe t’i tregoja historinë time për të dhënë një kontribut, nëse ai do ta dëshirojë”.
Corriere della Sera
tpz.al