Rrëfimi i guximshëm i Vasfije Krasniqit: “Si më përdhunuan dy serbë në kohën e luftës”
Marsin e tre viteve më parë, organizatat ndërkombëtare e vendosnin në 20 000 numrin e femrave të përdhunuara në Kosovë gjatë periudhës së konfliktit nga paraushtarakët serbë.
Në realitet, kjo shifër mund të ketë qenë të paktën dyfish më e lartë. Disa e kanë quajtur “sekretin më të errët të asaj lufte”. Viktimat e përdhunimit nuk i ka torturuar vetëm poshtërimi të cilit iu nënshtruan asokohe, por edhe mentaliteti i mëpasshëm që i hidhte atyre vellon e turpit. Për këtë arsye, edhe femrat që morën guximin të tregonin ferrin e përjetuar, nuk e shfaqën kurrë fytyrën e tyre. Të paktën deri më tani, kur një grua, Vasfije Krasniqi Goodman, vendosi të thyejë tabutë e ta rrëfejë publikisht ndodhinë e shndërruar në një barrë tepër të madhe për ta mbajtur vetëm gjithë jetën.36-vjeçarja jeton sot në Teksas të Shteteve të Bashkuara. Kur ishte vetëm 16 vjeç, Vasfija u përdhunua nga dy serbë, njëri prej të cilëve polic i regjimit të Sllobodan Millosheviçit. Në rrëfimin rrënqethës, gruaja e ka të pamundur t’i mbajë lotët, si për të treguar kështu se ajo ngjarje e ka shenjuar përjetë dhe se çfarë lufte i është dashur të bëjë me veten për të hedhur një hap kaq të guximshëm. Vasfija shpjegon në detaje si e morën nga shtëpia nën kërcënimin e armëve, si kishte dashur aq shumë të vdiste në ato momente dhe përse polici serb nuk e vrau.
“E ka pasur dorën të lidhur, dorën e majtë. Ai thoshte: “Ja, këtë ma kanë bërë babai dhe vëllezërit e tu dhe tani do ta paguash ti”. Unë doja vetëm që të më vriste”, tregon gruaja.
Vitin e kaluar, Vasfija pati publikuar në faqen e saj në Facebook një letër të hapur për njeriun që e përdhunoi, ndërsa kjo ishte hera e parë që rrëfehej publikisht në televizion. Arsyeja që e shtyu drejt këtij veprimi ishte dëshira për të fuqizuar gratë e tjera, e duke e bërë këtë, u shndërrua dhe vetë në një shembull guximi dhe shprese./Top Channel