Rrëfimi/ “Ervis Martinaj më mori peng, më tha se do më murosë”
Blendi Teta, i dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Santiago Malkos ka treguar në gjykatë se si Ervis Martinaj e kishte akuzuar për të njëjtën gjë duke e marrë peng dhe kërcënuar me vdekje. Ai ka folur gjatë procesit ndaj Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut dhe Dritan Agajt, të gjithë të akuzuar për të njëjtën vrasje në 27 gusht të vitit 2019.
Në rrëfimin e tij, ai ka treguar lëvizjet që ka bërë ditën kur ndodhi vrasja duke mohuar akuzën e prokurorisë.
“Nuk e njoh Santiago Malkon dhe nuk kam asnjë dijeni për ngjarjen e 27 gushtit 2019. Në atë kohë kam qenë në Shqipëri. Në datë 27 unë kam qenë për një drekë në zonën e Freskut. Në atë kohë isha menaxher i kompanisë së llotove të vëllezërve Duka për Tiranën. Ata i kam njohur 3 vite më pas pasi ju kam shitur atyre dhe Ervis Martinajt kompaninë time të basteve sportive. Në darkë më ka dërguar me makinën e Ervis Metanit sepse makinën time e kishte marrë shoqja ime e cila kishte shkuar në Kavajë për punë personale. Në darkë me Leonard dhe Elis Dukës, Fatmir Hysenit, Oltion Logut, Aleksandër Manxhakut, të gjithë ishim menaxher për qarqe të ndryshme të lojërave të fatit. Kam shkuar tek dreka rreth orës 17:00 dhe kam qëndruar deri nga ora 19:30 ose 19:45 jam larguar. Ngaqë nuk kisha makinë i kam kërkuar Ilir Selmanit të më shoqëronte me makinën e punës që ishte “Skoda” e bardhë dhe e përdorimin për të transportuar tavolinat e llotove. Selmani më ka shoqëruar deri sa të gjeja një taksi. Kemi kaluar tek komisariati 4 dhe më pas kam shkuar tek spitali i Fëmijëve. Njëra taksi ishte e prishur dhe një shitje e kioskës më tha prit 5 minuta se vjen taksia tjetër. Theksoj që celularin e kisha të fikur. Duke qëndruar aty kam dashur të shkoj në tualet. Aty në një lokal përbri spitalit 5 nuk kishte tualet dhe jam fut tek spitali brenda për nevojat personale” ka thënë Teta.
Me ndërhyrjen e gjykatës Teta ka saktësuar: Nuk kam hyrë në spitalin e fëmijëve por tek spitali 5. Më të mbërritur taksia jam nisur drejt banesës së shoqes sime, në Don Bosko. Ndërkohë familjen i kam me banim në afërsi të Liqenit të Thatë. Aktivitetin e llotove e ushtroja që nga 2005-në shtator të 2019. Vrasjen e kam mësuar disa ditë me vonë në gazeta. Më pas kam marrë informacion që isha në kërkim për lojërat e fatit dhe jam larguar për në Golem aty ku kam qëndruar deri në datë 13 shtator. Dua të sqaroj që me Ervis Martinajn dhe vëllezërit Duka kam pas të njëjtin raport, çështje llotosh. Gjatë kohës që isha në Golem taksisti që përdorja shpesh dhe që rrinte poshtë shtëpisë së shoqes sime më ka treguar se policia më kishte kontollu shtëpinë. Më shoqen nuk flisja se ajo kishte frikë ngaqë kishte shku policia. Ndërsa me gruan dhe fëmijët nuk kisha folur. Kur jam kthyer në Tiranë më datë 13 më ka arrestu policia, aty nuk kam dhënë deklarime të nesërmen më kanë dhënë me firmos ca letra dhe më thanë që janë letrat e avokatit. Unë nuk kam lidhje me këtë ngjarje, as e njoh Santiago Malkon.
Me kërkesë të tij, Blendi Teta ka kërkuar që të bëjë një deklarim në seancë, ku ka rrëfyer se si ishte marrë peng nga Ervis Martinaj dhe njerëzit e tij që e kishin kërcënuar se do ta vrisnin dhe do t’ia murosnin trupin.
“Dua të sqaroj e nderuar gjykatë që edhe pse e dija që isha në kërkim për llotot unë lëvizja. Në datën 8 ose 9 shtator të 2019 Ervis Martinaj ka kërkuar të më takojë. Për këtë gjë ai me ka sjellë për të më takuar një nga çunat e tij me emrin Arbër. E kam takuar Martinajn po atë ditë tek ETC në një lokal në kat të dytë. Ai ishte aty me disa nga antëarët e grupit të tij mes tyre edhe Erigers Mihasi. Aty Martinaj më tregoi videon time kur po prisja taksinë pranë spitalit. Aty më kërcënuan dhe më kërkoi të tregoj për vëllezërit Duka. Më pas më ka marrë dhe nën kërcënimin e armëve më kanë dërguar në një podrum në Sauk. Aty më kanë kërcënuar duke më thënë të tregoja se kush ishte i përfshirë në ngjarjen e Malkos dhe se ku rrinin Vëllezërit Duka. U kam sqaruar se nuk di asgjë, Martinaj dhe grupi i tij më kërcënuan se do më vrisnin dhe do më murosnin. Më pas ata më kanë lënë të lirë. E nderuar Gjykatë dua që t’i bëj një pyetje prokurorit. A mund të më thoni kush është personi me pseudonimin “Tigri” tek SKY ECC që ka dhënë 500 mijë euro për të fundosur vëllezërit Duka?” ka pyetur Teta.
Blendi Teta është dënuar me 25 vite burg për vrasjen e Malkos. I bashkëpandehuri tjetër Ilir Selmani i cili u dënua me 28 vite burg, kishte sjellë një deklaratë ku theksonte se ishte i sëmurë dhe se do të vinte për të dhënë shpjegime në gjykatë në seancën e radhës.
Ish-polici Santiago Malko u ekzekutua mbrëmjen e 27 gushtit 2019 në zonën e “Xhamllikut” në Tiranë, në makinën e tij tip “BMë X5”. I skeduar për një sërë ngjarjesh kriminale, Malko kishte hyrë edhe në administratën shtetërore, pjesë e Inspektoriatit të Mjedisit dhe Pyjeve, ku ka punuar si inspektor edhe pse ishte i shpallur në kërkim.
Lapsi.al