Rrëfehet zvicerania që u mashtrua nga Loredana: Më ka shantazhuar e kërcënuar, prej saj kam dashur të vras veten
Mbrëmjen e djeshme, reperja e njohur Loredana Zefi ka përfunduar në prangat e policisë zvicerane. Lajmi është bërë i ditur nga gazeta “20min.ch”, e cila ka zbuluar edhe akuzat që rëndojnë mbi bashkëshorten e reperit të njohur, Mozzik.
Autoritetet e drejtësisë zvicerane kanë konfirmuar se Loredana akuzohet për një dëm të shkaktuar një çifti. 52-vjeçarja Petra Z. dhe bashkëshorti i saj 53-vjeçar, Hans Z. kanë deklaruar se Loredana dhe vëllai i saj u kanë marrë të gjitha paratë e tyre.
Madje Petra Z. gjatë rrëfimit të saj për median vendase ka shtuar se ka dashur të vrasë edhe veten pas humbjes së parave të tyre.
“20min.ch” raporton se çifti zviceran i kanë dhënë vitin e kaluar para cash vëllait të këngëtares derisa në lojë është paraqitur Loredana. Kjo e fundit është e dyshuar dhe e akuzuar për një dëm financiar rreth 700,000 franga, kurse vëllai i saj, Berati për 200,000 franga të tjera.
“Më kanë mashtruar, shantazhuar, detyruar dhe kërcënuar. Loredana dhe vëllai i saj kanë marrë gjithçka nga ne. Paratë tona. Thjesht çdo gjë që ne si njerëz të zakonshëm kemi punuar shumë për to. Për shkak të saj kam dashur ta vrasë veten”, ka thënë Petra Z. për gazetën e njohur zvicerane.
Në artikull thuhet gjithashtu se tashmë ka fakte për të gjitha transaksionet bankare që janë bërë nën kërcënimin dhe kanosjen e çiftit zviceran.
Zonja në fjalë ka treguar se e gjithë kjo ka nisur në qershor të vitit 2016. Sipas saj, ato ditë ajo ndihej e vetmuar dhe kishte vendosur që të hynte në portalin “Badoo”, ku fillimisht kishte pranuar kërkesën nga një mik Antonio Cas.
Petra z. Ka zbuluar se në këtë portal ajo kishte njohur njerëz të ndryshëm, por biseda më Antonion i shkonte shumë mirë. Ata flisnin edhe në “WhatsApp”. Ajo shprehet se Antonio dukej i besueshëm. I kishte thënë se ishte i divorcuar dhe se punonte si shofer doganor.
Në shtator të vitit 2016, dy muaj pas njohjes Antonio i kishte kërkuar para Petrës. I kishte thënë se kishte nënë sëmurë dhe se kishte nevojë për transplant veshke.
Zonja Petra i dha 87 mijë franga dhe premtoi se do e ndihmonte deri në fund. Personi me të cilin kishte folur kaq gjatë Petra nuk ishte Antonio por Berati, vëllai i Loredanës.