Rrëfehet Ardit Çuni: Dikur tallesha me njerëzit që më flisnin për dashuri, ndërsa sot tallem me veten
Vjen me baladën e shpirtit të tij, e cila do të jetë një melhelm për shpirtin e 14-vjeçares së talentuar në këtë duet, Daniela Toçit. Ardit Çuni është vetëm 22 vjeç dhe tashmë në anën tjetër të llogores, vendos të vijë si guru shpirtëror i Danielës dhe të gjithë atyre që s’kanë asnjë para në xhep për të bërë realitet ëndrrat e tyre. “Qaj” është balada e parë e karrierës së tij, e cila i ka bërë të qajnë të gjithë, duke kryesuar me 2 milionë klikime në “Youtube”, e duke u komentuar si favorite për të fituar “Kënga Magjike’. Për “Panorama Plus” Arditi rrëfen historinë e trishtë që e bëri bashkë me Danielën në këtë duet dhe çfarë e shtyu të heqë dorë nga luksi i klipeve dhe të zbresë me këmbë në tokë për të ndjekur zemrën.
“Të gjitha mund t’i zgjedh në jetë, veç fatit që unë kam” është vargu i “Qaj”. Beson se fati është i shkruar, apo ne mund ta bëjmë vetë fatin?
Rrethanat në të cilat lindim dhe jetojmë janë të shkruara, pastaj na takon ne si individë ta ndryshojmë fatin tonë.
Errësira e vërtetë që mund të kesh kaluar në jetë?
Pamundësia ekonomike për të realizuar ëndrrën time.
Rasti kur pe dritë në fund të tunelit?
Kur ia dola të bëj muzikë dhe të jem në tregun muzikor.
Vetminë, me kë mund ta ndash?
Po ta ndaje me dikë, s’do ishte më e tillë, por ta kalosh vetminë mundesh me një person që e ka vuajtur si ty.
Egoizmin, si mund ta vrasësh?
Duke u fokusuar te puna dhe jo te rezultati.
Çfarë ka magjike në shpirtin tënd si mashkull?
Mendoj që duhet të pyesesh atë që më ka… Ose s’ka gjë se e pyes unë për ty… “Çfarë kisha magjike që më zgjodhe? (qesh).
Nëse dashuria të çon në parajsë, ndarja të çon në ferr?
Ndarja të çon në një parajsë tjetër me shumë mundësi.
Paraja e blen dashurinë, po dashuria mbijeton dot pa paranë?
Dashuria vjen e para dhe nuk blihet me para. Por do isha naiv nëse do thoja që dashuria mbijeton pa para në kohët që jetojmë.
E ke provuar ndjenjën e vërtetë dhe kujt s’do ia lëshoje kurrë dorën, në të mirë e në të keq?
Dikur tallesha me njerëzit që më flisnin për dashuri, ndërsa sot tallem me veten. Po e përjetoj dhe nuk ka gjë më të bukur se të zgjohesh dhe të flesh, duke e ditur që ke dikë që të do dhe do jepte gjithçka për ty. Dorën, familjes gjithmonë.
Femra me të cilën do të jetoje si Eva dhe Adami?
Angeline Jolie dhe pikë.
Për kë qan dhe qesh zemra jote sot?
Për ATË.
/Panorama Plus