Ronela Hajati: “Shqipëria nuk ka pasur ndonjëherë performancë më të mirë se ajo që do ketë në Torino”

Ronela Hajati do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision me këngën “Sekret”. Një këngë me të cilën pjesa më e madhe e publikut u dashuruan me dëgjim të parë, ku nuk mund të mungonin dhe skeptikët. Megjithatë duhet ta pranojmë që është një nga këngët më ritmike që na ka përfaqësuar ndonjëherë në Eurovision.

E ftuar në “Ditë pas Dite” me Fjodora Fjorën, Ronela foli për realizimin e videoklipit, për performancën që do të ketë atje, për look-un dhe për gjithçka. Klipi u prezantua të premten, por ajo tregoi dhe disa detaje sa i përket performancës në 10 maj në Torino.

Ronela tha se Shqipëria nuk ka pasur kurrë performancë më të mirë në Eurovision se ajo që pritet të dhurojë këngëtarja në Torino.

“Pa modesti fare e them që do të jetë një super performancë në gjithçka, që nga look-u e deri te pjesa e baletit. Nuk po zbuloj më tepër, por do të jetë vërtetë shumë e bukur,” u shpreh ajo, ndërsa na veçoi se pjesë e trupës koreografike do të jetë Klaudia Pepa dhe katër balerinë italianë.

Ronela tha se po punon me performancën e cila nuk do të ketë asnjë lidhje as me klipin, as me prezantimin në Festivalin e Këngës.

Realizimi i videoklipit

Ronela tregoi në “Ditë pas Dite” se ditët e realizimit të klipit kanë qenë shumë të ftohta, e pavarësisht kësaj është bërë një punë kolosale. Ajo u shpreh se ka idenë që dashuritë e mëdha i rezistojnë kohës, e pikërisht këtë donte të përcillte. Fabulën e kësaj ideje e përcolli në mënyrën më të mirë të mundshme Ledion Liço.

Ronela tha se kishin si qëllim të sillnin shumë elementë shqiptarë, prandaj lidhej me “Gjarprin e Bistricës” (mitologji), apo me emrin Vjosa, që simbolizon lumin e fundit të egër të Evropës.

Ndërkohë, sa i takon përdorimit të anglishtes në tekst, Ronela nënvizoi se ka pasur njerëz që nuk e kanë pëlqyer fare as tekstin shqip dhe tashmë janë mësuar me këngën, madje e duan. Sipas saj, njësoj do të ndodhë dhe me versionin e ri.

Pritshmëritë për Eurovision

Këngëtarja tha se kënga është pritur shumë mirë dhe në fakt shifrat flasin vetë. “Sekret” është ndër këngët më të klikuara dhe më të pëlqera këtë vit. Ronela tha në “Ditë pas Dite” se pritshmëritë po i mban të ulëta në mënyrë që të shmangë zhgënjimin. Ajo pretendon finalen dhe kjo do ishte gëzimi më i madh, pavarësisht se do bëjë më të mirën për të përfaqësuar Shqipërinë denjësisht.

Nga Eurovision pret që të pikaset nga një label i huaj dhe të “transportohet” jashtë, siç tha me humor Ronela e cila me siguri do të na dhurojë emocione të jashtëzakonshme nga Torino.