Ronela flet për periudhën e vështirë: ‘Çdo grimcë mbështetjeje është një mal me forcë për mua’
Në një postim të sinqertë në Instagram, Ronela Hajati foli për periudhën e vështirë që po kalon. Pak kohë para performancës në Eurovision, Ronela tregon se po përjeton një nga “periudhat më intensive dhe emotive”.
“Ju nuk e keni idenë sa përgjegjësi ndiej t’i shpërblej vetes në radhë të parë e më pas të gjithë atyre që po punojnë për Eurovision. Gjithë jetën time kam kënduar në shumë skena dhe ndiej se kam nevojë për një hap të madh për të shkuar më tej! Dëshira ime më e madhe është që e gjithë bota të dëgjojë muzikën time. E ndërkohë kam aq shume projekte të tjera që kanë mbetur pezull!” – shkruan ajo.
Në vijim të mbishkrimit, këngëtarja shton:
“Kjo është një nga periudhat më intensive dhe emotive për mua! Po jap gjithçka që mundem për të dalë sa më mirë! Në foton e fundit keni Ronin në shumicën e kohës. Jam në një periudhë shumë delikate të jetës.”
Në njërën nga fotot, Ronela shfaqet e përlotur. “Dhe kështu dua që të dini që çdo grimcë mbështetje është një mal me forcë për mua. Ju dua shumë,” përfundon ajo.
Ronela ka qenë gjithmonë e hapur për të folur për shëndetin e saj mendor dhe emocional. “E di që u bë një kohë e gjatë që unë nuk jam aktive në muzikë apo intervista apo rrjete sociale…Në fund të ditës publiku do muzikë për të hequr mendjen nga problemet dhe harrojnë që gjithkush nga ne ka shqetësime,” tregoi në fillim të vitit 2021. “2020 ka qenë një nga vitet më të këqija për mua në çdo aspekt. Shumë të pakta kanë qenë momentet kur kam qeshur…Shumë të lodhshme momentet që duhet të sillesh sikur çdo gjë është ok.”