Ronaldo, me shpatë dhe veshje arabe
Me veshjen tradicionale të Arabisë Saudite dhe me shpatë në dorë, Cristiano Ronaldo ka përjetuar festën e parë kombëtare në Lindjen e Mesme. Portugezi iu bashkua festimeve të Al Nassr, në Festën vjetore të Themelimit.
Dita e Themelimit, e cila përkujton themelimin nga Imam Mohammed bin Saud të shtetit të parë saudit dhe dinastisë Saudite më 1727, u shpall festë kombëtare vitin e kaluar nga mbreti Salman bin Abdulaziz, i cili nxori një dekret mbretëror.
Por duket se kjo nuk është e gjitha ajo që ka ndodhur me fituesin e 5 Topave të Artë. Parakalimi në stadium mund të konsiderohet edhe si hapi i parë i Ronaldos si Ambasador i Arabisë Saudite në FIFA për fitimin e të drejtës së organizimit të Kupës së Botës 2030.
Pavarësisht se një gjë e tillë është mohuar ditë më parë nga klubi saudit, Ronaldo konsiderohet si imazhi ideal për të bindur organin qeverisës së futbollit botëror për t’ia besuar arabëve turneun madhor.
Sulmuesi portugez firmosi te Al Nassr për 2.5 vite, pas shkëputjes së marrëveshjes me Manchester United, kontratë nga e cila do përfitojë 500 milionë euro. Që nga kalimi në Arabi, Ronaldo ka kontribuar me 5 gola në katër ndeshje, duke ndihmuar ekipin që të qëndrojë në krye të renditjes.
Klan News