Romir Zalla: Në “Gardërob” punoj vetëm me femra, regjisoren e kam edhe në shtëpi pasi është ime shoqe

Humor fin dhe batuta të zgjuara sjell aktori i njohur, Romir Zalla në emisionin e tij të ri televiziv të gjinisë “Late Night Show”, të titulluar “Gardërob”. Nga rubrika “N’sirtar” ku trajton argumentin e javës deri te “Pa kollare” ai interviston të ftuarin e mbrëmjes në “Tv Scan” në mënyrën më elegante të mundshme. Në këtë intervistë për revistën “Story”, Zalla rrëfen paskuintat e emisionit që e përgatit me një staf të ngushtë, ku të gjitha janë femra. Më e rëndësishmja mes tyre është regjisorja Suela Bako, njëkohësisht bashkëshorte dhe kolege në punë.

Prej vitesh të pamë spektaklin e humorit të “Top Channel”. Kur dëgjon fjalën “Portokalli” çfarë ndjen tani?
“Portokallia…” u bë dy vjet tashmë që është mbyllur si kapitull. Unë kam shumë për të folur për “Portokalli-në” por nuk është rasti. Njëherë tjetër…
Ndërkohë të shohim në emisionin e ri të orëve të vona “Gardërob” ku shfaqesh unik dhe në veshje. Me këmishë të bardhë, tiranda dhe papion ka ndonjë simbolikë kjo veshje?
Besoj kombinimi tiranda dhe papion është më artistik në stil, pak elegant dhe i veçantë.
Cilat janë disa nga batutat e tua që kanë ngjitur menjëherë në public deri tani?
Është pak herët ndoshta për të thënë këtë. Pastaj batutat që ngjisin dalin papritur, spontanisht, dhe kur nuk e mendon gjatë.
Ç’të frymëzon për përgatitjen e programit, je më krijues në mbrëmje vonë apo mëngjes?
Programi ka një skenariste, Anxhela Çikopanon. Përveçse njihemi që prej kohësh, bashkë me të punojmë shumë dhe përplasim mendimet për çdo detaj. Është e vërtetë që edhe e gdhijmë kur e kthejmë përmbys skaletën në momentet e fundit.
Pi ujë apo alkool për krijimin e shprehjeve të duhura që i përshtaten vendit dhe kuvendit?
Pimë ujë që edhe skenari të rrjedhë…
Dimë që bashkëshortja jote është regjisorja e njohur, Suela Bako. Sa dorë ka ajo në programin tënd të ri, dhe për çfarë të këshillon?
Besoj se u kuptua që bashkëshortja ime është jo vetëm regjisore, por pjesa më e rëndësishme e programit. Struktura dhe gjetjet e “Gardërob” jane vetëm merita e saj. Jam me fat që e kam pranë në këtë sfidë që kam me veten në rradhë të parë. Dhe kjo sfidë do të vazhdojë për një sezon të plotë deri në fund të qershorit…
Mes spektakleve të humorit që bëhen në ekranet shqiptare, në ç’aspekt u përpoqe të ishe ndryshe?
Përmbajta është kryesorja. Përtej humorit duhet të mbetet diçka për të menduar, reflektuar, reaguar. Unë nuk jam me atë shprehjen: Publiku do gallatë që të harrojë hallet. Përpjekja nuk ka mbaruar. Do ketë larmi temash, rubrikash, zhanresh të humorit, të ftuar simpatikë, gjetje dhe risi. Siç e thashë më sipër unë punoj me një staf të ngushtë, ku të gjitha janë femra. Kjo më ndihmon shumë. Edhe humori është më fin, më i zgjuar. Pastaj regjisoren Suela Bako e kam në shtëpi. Është ime shoqe, por edhe kolege në punë. Ajo dhe “gocat” e tjera janë të vetmet që mund të ndjekin ritmin tim.
Meqë po flasim për mendjet e rëndësishme që fshihen pas “Gardërob”, kush janë të tjerët?
I falënderoj të gjithë ata që punojnë për përgatitjen e programit sepse pa mbështetjen e tyre nuk mund t’ia dal dot në kohë rekord me cilësi. Për më tepër ngaqë këtë muaj kam qenë i ngarkuar paralelisht edhe me provat për vënien në skenë të dramës “Dyshimi” të John Patrick Shanley, me regji të Donard Hasanit dhe partnere aktoret; Shegushe Bebeti, Jorida Meta dhe Nigela Ruka. Premiera do të jetë shumë shpejt në sallën e Universitetit te Arteve dhe shpresoj se ka për të dalë një shfaqje e mirë.