Roland Roshi u përcoll sot në banesën e fundit/ Kolegët rrëfejnë si humbi jetën në dhomën e lajmeve të TVSH

Roland Roshi, spiker dhe regjisor i njohur është ndarë nga jeta mbrëmjen e djeshme në vendin e tij të punës në RTSH. Lajmi u dha nga kolegët e Roshit, të cilët shprehën ngushëllime për familjen e të ndjerit dhe treguan se si humbi jetën në studio e RTSH-së. Asllan Bajrami, bashkëpunëtor i RTSH, shkruan:”Disa minuta para orës 20:00 ndërroi jetë në vendin e punës ROLAND ROSHI, njëri nga regjisorët dhe folësit e spikatur në Radiotelevizionin Shqiptar. Me Landin në vitet ’90-të kemi punuar bashkë në edicionet e lajmeve për Kosovën në Televizionin Shqiptar dhe në Radio Tirana.Ishte profesionist i pashoq dhe njeri me virtyte të larta. Ngushëllime familjes Roshi dhe të gjithë kolegëve të Radiotelevizionit Shqiptar”.

Ndërsa spikeri Dhimitër Gjoka shkruan: “E pabesueshme. Është ndarë nga jeta krejt papritur kolegu ynë, regjisori dhe moderatori i talentuar ROLAND ROSHI! Ngushëllime familjes dhe njerëzve të dashur të tij! Kurse Dëfrim Methasani shkruante: “Qetësinë e kësaj mbrëmjeje, ma prishi një telefonatë nga dhoma e lajmeve në RTSH. Një zë i mekur më tregoi që krejt papritur ka ndërruar jetë regjizori i njohur, ish spikeri i lajmeve, kolegu dhe miku im i mirë, Roland Roshi. Vërtet një lajm tronditës dhe dhimbje e madhe, për familjen e tij, por dhe familjen e madhe të RTSH. U prehsh në paqë Landi ynë i mire! Po ndjej shumë dhimbje miku im. Do na mungosh shumë, por unë do të të mbaj mend, vetëm me mirësinë, zërin e veçantë dhe buzëqeshjen tënde të përhershme…!

Ndërsa në statusin e Nermin Spahiut thuhetj: “Lajm i tmerrshëm. Na iku shumë shpejt e krejt papritur kolegu, regjisori i nderuar, folësi i Radio Televizionit Shqiptar, Roland Roshi.Ishte në punë, teksa ndodhi gjëma. Njeri që vetëm dinte të falte dashuri, e të sillte të qeshura, ndaj iku pa bezdisur askënd, pa i rënduar askujt. Do na mungojnë batutat e tua LANDI!Të qoftë i lehtë dheu mik i dashur! Ish-spikeri dhe regjisori i njohur u përcoll sot në banesën e fundit, pas homazheve në nderim të tij që u mbajtën në hollin e RTSH-së.