Roberto Benigni në një thirrje të fuqishme për paqe: Ata që vrasin fëmijë nuk janë burra, nuk janë njerëz

Aktori dhe regjisori i njohur italian Roberto Benigni, fitues i çmimit Oscar, ka bërë një apel të fortë kundër luftës dhe indiferencës globale, gjatë një interviste në emisionin “Propaganda Live” në La7. Me emocion dhe revoltë, ai dënoi publikisht dhunën ndaj fëmijëve, luftën në Ukrainë, konfliktin në Gazë dhe tragjeditë e përditshme në Mesdhe, duke theksuar se “ata që vrasin fëmijë, nuk janë burra, nuk janë njerëz”.

Benigni vuri theksin te vuajtja e më të pambrojturve – fëmijëve, duke shprehur tronditjen e tij për faktin që “ne vazhdojmë të vrasim” edhe kur fëmijët gërvishten gjatë lojës dhe ndalojnë për t’u kujdesur për njëri-tjetrin. “Nëse nuk e ndien dhimbjen e botës, nuk je njeri”, tha ai me ton emocional, duke i quajtur aktet e luftës “frikacakëri”.

Benigni drejtoi gishtin ndaj Bashkimit Evropian, duke kritikuar mungesën e një unioni të vërtetë politik dhe moral, i cili sipas tij mund të kishte parandaluar shumë nga luftërat aktuale. “Nuk ka një Bashkim të vërtetë Evropian, të bashkuar me të vërtetë. Nëse do të kishte qenë, disa luftëra ndoshta mund të ishin shmangur”, u shpreh ai, duke risjellë në vëmendje frymën e Manifestit të Ventotenes, një simbol i unitetit dhe paqes evropiane pas Luftës së Dytë Botërore.

Ai përmendi edhe një citim të Presidentit amerikan Joe Biden pas 7 tetorit 2023, i cili i kishte kërkuar Izraelit “të mos i përgjigjej tmerrit me më shumë tmerr”. Benigni theksoi se këto fjalë mbetën të padëgjuara, duke i bërë jehonë përgjegjësisë globale për të vepruar ndaj dhunës.

Në fund të monologut, Roberto Benigni i bëri një thirrje brezit të ri – brezit të parë transnacional në histori – që të mos mbyllë sytë përballë dhimbjes, por të mbrojë me zë të lartë paqen dhe fuqinë e lirisë.

“Ne jemi të gjithë i njëjti trup. Nuk mund të heshtim përballë kësaj dhimbjeje.” – ishte fjalia përmbyllëse e një mesazhi që tejkalon kufijtë gjeografikë dhe politikë dhe i drejtohet njerëzimit.

tpz.al