Robert Aliaj: Aventurat e mia për një natë, larg shëmbëlltyrave prej silikoni të ekranit

Nga Preza në Shëngjin, janë dy nga destinacionet që Robert Aliaj ka vendosur t’i eksplorojë me shpirtin e aventurës ashtu si Kristofor Kolombi shkeli i pari Amerikën. Artisti kontravers ndoshta s’do jetë i pari që shkel këto toka të periferisë shqiptare, por që prek shpirtrat e atyre që jetojnë në këto rrethina e beson që është i pari. I komentuar për këngën “Ah ku më hodhi Zoti”, dhe vokacionet e tij për realitetin politik e social nga paneli i show-t “Dance with me”, Roberti kthehet në ekran me emisionin e tij bardh e zi me titull “Vetëm një natë”. Nëse është një Omar Khajam që pret hënën e plotë për të parë fytyrat e të tjerëve, apo aventurieri që dëgjon pëshpëritjet në mes të natës e atyre që s’mbërrijnë dot deri në Tiranë, Robert Aliaj i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Robert-Aliaj-3

Pas këngës që bëri shumë bujë me titull “Ah ku me hodhi Zoti” kthehesh në ekran me një projekt televiziv në “Ora Neës” me titull “Vetëm një natë”. Mund ta përkthejmë titullin si “Shqipëria, vendi ku duhet të ikësh natën”?

Titulli “Vetëm një natë” është bazuar tek një shprehje idiomatike që përdoriet prej shumë kohësh. Koncepti, sipas origjinës së kësaj idiome, është pamja e dytë por e rrallë e hënës së plotë në të njëjtin muaj. Hëna blu është hëna e plotë që shfaqet për herë të dytë në të njëjtin muaj kalendarik dhe ky fenomen ndodh vetëm një herë në 32 muaj. Përveç kësaj, hëna e plotë duket ndryshe me ngjyrat blu dhe portokalli dhe është më e madhe në përmasa. Kurse koncepti në rastin tonë, përkthehet ndryshe. Më mirë natën sesa ditën në Shqipëri.

Nga pikëpamja e realizimit teknik duket pak çuditshëm si lëviz ti me kamerat?

Ky është një koncept origjinal, sepse të gjitha ndodhin all-in one , nuk ka ekip xhirimi, unë xhiroj vetë me tre kamera që i kam të integruara në trup. Njëra kamer më filmon mua, e dyta intervistuesin, dhe e treta kap pamje të përgjithshme.

Robert-Aliaj-4

Bën përshtypje edhe transmetimi bardh e zi që na kujton kohën kur ende s’kishin hyrë në Shqipëri televizorët me ngjyra. Ç’ke dashur të thuash me këtë?

Transmetimin bardh e zi e kam zgjedhur vetë, me vetëdije dhe pëlqimin tim, si një pretendim për të qenë sa më larg pseudoluksit dhe shkëlqimit fals të ekraneve, me ngjyra e glamour që fshehin realitetin e vërtetë.

Larg glamour je dhe me personazhet e panjohur që takon të cilët jetojmë në skutat më të largëta të këtij vendi. Kaq shumë të janë mërzitur fytyrat e bukura të ekranit?

Personazhet e panjohur në terenin e tyre të trajtuar me dinjitet janë ajo çka i mungon realitetit shqiptar në të gjitha dimensionet. Kemi të njëjtat fytyra në politikë, edhe pse dështimet janë normë. Kemi të njëjtat shëmbëlltyra silikoni nëpër ekrane, kemi të njëjtat qëllime, etj. Ndërkohë njerëzit e panjohur janë më spontanë, më të sinqertë, më të mençur dhe më zemërbardhë me gjithë vështirësitë. Ata janë aktorët e vërtetë të dramës shqiptare.
Nuk mund të them që më janë mërzitur fytyrat e bukura të ekraneve, sepse nuk i kam njohur asnjëherë fytyrat e tyre të vërteta.

Cili është qëllimi i vërtetë i një artisti si ty për të njohur Shqipërinë në skajet e saj. Mendon se andej do të takosh shpirtra të qetë e të pastër, por shkakton reaksione emocionale realisht të trazuara?

Ne jemi të gjithë krijesa që kërkojmë kuptim. Dhe në atë Shqipërinë reale e gjen kuptimin. Ne nuk kërkojmë vetëm të përkufizojmë kuptimin e jetës sonë duke ju adaptuar qëllimeve mbizotëruese që na imponohen me vetëdije ose jo, por ne duam të kuptojmë arsyen e pothuajse çdo gjëje që ndodh rreth nesh. Kurioziteti nuk na orienton vetëm drejt çdo gjëje që bëjmë, por ndihmon në reagimet emocionale ndaj gjithçkaje edhe ne skajet më të largëta.

Robert-Aliaj-2

“Vetëm një natë” duket si një titull që të asociion me erosin. Do kalosh ndonjë natë të tillë në rrethina si Omar Khajam tek Rubairat, kur shpirti i tha: “Ngrehu! Sa rron, zbras kupa dhe puth çupa…”?

Erosi është përjetësi. Vetëm një natë, është vetëm një natë.

E vërteta ëshët që jeton në Bruksel por vjen dhe bën jetë publike në Tiranë. Çfarë lloj frymëzimi do e cilësojë këtë fluturim nga një qiell në tjetrin?

Është frymëzimi që të jep ndryshimi. Në një kulturë të fiksuar në garën e klikimeve dhe ndjekësve, ne shpesh harrojmë rolin e rëndësishëm të frymëzimit. Frymëzimi na shtyn drejt mundësive të reja, duke na lejuar të kapërcejmë përvojat dhe kufizimet tona të zakonshme. Frymëzimi të nxit të udhëtosh nga apatia drejt një mundësie, dhe të transformon mënyrën se si i perceptojmë ne aftësitë tona.

Kur ishte në panelin e “Dance with me” përveç komenteve për personazhet e njohur në garë, mbaje dhe qëndrime për realitetin social-politik shqiptar. Si do e komentoje situatën në të cilën ndodhemi, një kaos apo një kthjellim?

Në buzë të kthjellimit. Gjithçka e gjeni tek vargjet e këngës “Ah ku me hodhi Zoti”.

Si anëtar jurie i këtij shoë të kemi parë ne situata kontradiktore dhe shpesh kemi dëgjuar duke i kërkuar Vera Grabockës të mos të të mbyllë mikrofonin. Si e kujton bashkëpunimin tuaj dhe a do ketë herë të tjera tani që ke emisionin tënd?

Eksperienca ime me Grabockën është e shkëlqyer sepse asnjëherë nuk jemi përzierë në punët e njëri-tjetrit. Aq më tepër kur mendon që në 5 vjet, Vera nuk më ka ndërhyre asnjëherë, dhe kurrë nuk më ka kërkuar të bej gjëra që unë nuk i besoja. Të njëjtën mund të them edhe për Alketa Vejsiun. Unë kam qenë i lirë në atë marrëdhënie që të bëja çfarë të doja, sepse i tillë jam unë, si qelq kur dikush kërkon të më imponojë diçka që unë nuk e besoj. Ato i kanë respektuar ndjeshmëritë e mia, dhe besonin tek unë.
Në një marrëdhënie të tillë trekëndëshe nuk ka arsye të mos ketë herë të tjera, sepse plotësojmë njëri-tjetrin. Trekëndëshi nënkupton stabilitet. Ai mund të simbolizojë konflikt dhe aksion në të njëjtën kohë.

Robert-Aliaj-1

Nisur nga titulli “Vetëm një natë”, me cilën ikonë kinemaje apo politikane do të doje ta kaloje një të vetme?

Titulli “Vetëm një natë” nuk më provokon inspirime të tilla. Pastaj nuk tregohen netët e vetme. Edhe sepse çdo natë është unike.

Ti je themeluesi i projektit filmit “Tirana 48 Orëshi”. Duket se e koncepton jetën si flutrat e majit, pp pse i limiton projektet në kaq pak orë?

Edhe kjo ka lidhje me frymëzimin, gjërat intense nuk kanë nevojë për më shumë kohë. “Vetëm një Natë” e mbështet këtë ide.

Kush ta bën jetën më malore të ecësh në terenin e vështirë për takuar njerëz të thjeshtë dhe bruto, apo në autostrada të gjata për të mbërritur tek njerëz të njohur e të sofistikuar?

Nuk është vështirësia e malores që bën ndryshimin, është kënaqësia që të japin gjërat e vogla e të thjeshta që justifikon terenin e vështirë dhe krijon magji.