‘Rivalët prej një jete’ sjellin bashkëpunimin e tyre të parë
Alban Skënderaj dhe Flori Mumajesi janë dy nga kantautorët më të njohur dhe të suksesshëm të muzikës bashkëkohore shqiptare, të cilët pavarësisht respektit reciprok për punën e njëri-tjetrit ndër vite, nuk kanë bashkëpunuar kurrë. Duke qenë se suksesi i ka ndjekur pothuajse njësoj, ku mjafton të kujtojmë këtu pjesëmarrjet e tyre nëpër festivale si “Festivali i Këngës”, “Kënga Magjike” apo “Top Fest” që kanë rezultuar në fitore, janë vlerësuar me çmime të rëndësishme dhe/ose kanë lënë gjurmë, është krijuar edhe një ide si “rivalë të përbetur”. “Flori apo Albani?” është një nga pyetjet që me gjasë jua kanë bërë edhe ju nëpër biseda mes miqsh.
Më në fund, këngëtarët, të cilët bëjnë shaka me këtë idenë e rivalitetit, do të sjellin bashkëpunimin e tyre të parë. Në një video të filmuar nga moderatori Labinot Gashi gjatë festës së ditëlindjes së Arilena Arës, ata thonë me humor se “nuk e shohin dot me sy njëri-tjetrin” dhe “kanë një urrejte të brendshme prej një jete” ku shtojnë se “kënga do të bëhet”. “Kënga do të bëhet. Se kush do e bëjë, ose ky ose unë, nuk e dimë,” thotë Flori.
Kënga me gjasë do të jetë një nga projektet e tyre më të suksesshme. Në një sondazh të Anabel.al në mars të 2019-s, bashkëpunimi i tyre u rendit në vendin e parë në listën “bashkëpunime që s’kanë ndodhur, por duhet të ndodhin”.