Rikthehet “Portokalli”, programi i humorit nis transmetimin pasi u mbyll për shkak të Koronavirus

Koronavirusi mbylli transmetimin e shumë programeve në vendin tonë për të mbrojtur shëndetin e gazetarëve, artistëve, kameramanë etj.

Një nga programet që u mbyll ishte edhe emisioni i përjavshëm i humorit “Portokalli”. Megjithatë duket se pritjes i ka ardhur fundi, pasi “Portokalli” fillon transmetimin këtë të dielë.

Lajmin e ka dhënë aktori i njohur, Florjan Binaj, me anë të një video ku shfaqet i ulur me Rezart Veleshnjan dhe Irgen Çelën.

“Kemi një super lajm për këtë javë. Këtë javë fillon portokallia. Lajmi më i bukur prej shumë kohësh!”, thonë aktorët, duke surprizuar ndjekësit të cilët kanë komentuar menjëherë.

Më herët edhe një tjetër program në “Top Channel” njoftoi se do të rikthehet. Bëhet fjalë për “Dua të të bëj të lumtur” me Arbana Osmanin, i cili po pritet me padurim nga teleshikuesit.