Rikthehet në YouTube versioni i ri i “Pyes Lotin”, Elsa Lila: Kush duron, fiton

Këngëtarja e njohur Elsa Lila riktheu mbrëmjen e tretë të “Festivalit të Këngës 61” në Radio Televizionin Shqiptar këngën “Pyes Lotin”, në një duet me Capital T. Ata kishin zgjedhur që këngën aq të dashur për mbarë publikun shqiptar ta risillnin në një version të ri.

E teksa pati nga ata që e pëlqyen këngën, Valentin Veizi, kompozitori i këngës “Pyes Lotin”, fituese në Festivalin e Këngës në 1996, nuk e priti mirë dhe për këtë bëri një reagim publik, ku theksoi se kënga jo vetëm u rikëndua pa lejen e tij si autor dhe kompozitor por edhe ishte denigruar duke e sjell këngën në një variant të shëmtuar, ndaj kërkesa e tij ishte që kënga e tij të hiqej nga Youtube.

Disa ditë më pas kënga u hoq nga YouTube, ndërkohë që së fundmi kënga është rikthyer. Lajmin e bëri të ditur vetë Elsa me anë të një postimi në rrjetin e saj social Instagram. “Pyes Lotin” rikthehet në Youtube! Kush duron, Fiton”, ka shkruar ajo.

Kutojmë që reagimi e kompozitorit ishte shumë i ashpër, ndaj mbetet për t’u parë se si do të reagojë pasi kënga është rikthyer, “MOS MA BËNI PIS KËNGËN! Sot kam marrë shumë mesazhe e telefonata nga shokë e miq, dashamirës e simpatizantë të muzikës sime të indinjuar në lidhje të një varianti të këngës “Pyes Lotin” që është kënduar nga Elsa Lila edhe Capital T në natën e tretë Festivali 61 i RTSH-së, duke qenë se s’kam patur mundësi të ndjek festivalin e kërkoj edhe e dëgjoj në YouTube këngën, më bënë përshtypje (indinjuan) dy gjëra: e para nuk e di kush ka marrë guximin e ka pasur kurajon të ma bëj “pis” këngën time, mirë që nuk kanë aftësinë profesionale për të “rifreskuar” apo të sjellin ndryshe një këngë, por këta nuk kanë as edukatën edhe as respektin të paktën të kontaktojnë për të marrë lejen e autorit.

Së dyti: Ti (kushdo) mund të rikëndosh një këngë, por nuk ke asnjë të drejtë të ndryshosh e të denigrosh këngën pa lejen e autorit, (kompozitorit). Me lini t’ja u them troç edhe një herë Lilës edhe Capitalit, modeli i këngës qe ju sollët është modeli se si mund të denigrosh, shpërfytyrosh një kënge aq te bukur si kënga “Pyes Lotin”, prandaj do t’i lutem Radio Televizionit Shqiptar ta heqi nga çdo lloj transmetimi këtë variant të shëmtuar!”, shkroi Valentin Veizi një ditë pasi versioni i këngës “Pyes Lotin” u këndua në Festivalin e Këngës.

Bordo