Rikthehen shokët e “Top Fest”, Julian Lekoçaj & Bess: “Shqiptar” kënga jonë e revoltës kundër tranzicionit që i ngjan një seriali që s’mbaron kurrë!
Dy djem të muzikës që këndojnë me zemër në dorë, për shqiptarët dhe fatin e Shqipërisë. “Shqiptar” titullohet klipi më i ri në tregun e muzikës, që rikthen në këtë bashkëpunim Julian Lekoçaj dhe Bess, të njohur që në kohët e “Top Fest”. Kënga është publikuar tashmë në të gjitha radiot dixhitale; Spotify, Itunes, Apple Store, Shazam, Tik Tok, YouTube Store. Për revoltën e kësaj kënge të fuqishme plot mesazhe në këto kohë të vështira, Julian Lekoçaj rrëfehet në këtë intervistë të parë për revistën “Story”.
Julian, rikthehesh në muzikë me një këngë me titull “Shqiptar”, bashkë me Bess. Kush janë realizuesit e një projekti që sjell mesazh të fuqishëm për zgjim?
Muzika lindi natyrshëm mbi një tekst të shkruar 3 ditë pas tërmetit të 26 nëntorit 2019-të. Orkestrimi u realizua në një kohë rekord dhe masteri final përfundoi në studion e kantautorit të mirënjohur, Sajmir Çili. Linjat e kitarave u realizuan nga Laert Rrapi, një ish-pjesëtar i grupit tim, mik i ngushtë i imi. Ndërkohë është përfunduar klipi, xhirimet e të cilit u realizuan 1 javë para se i gjithë populli shqiptar të mbyllej zyrtarisht në karantinë, për shkak të pandemisë së Covid-19. Në klip përveç këngëtarëve, do të vihet re edhe performanca e violinistit, Gerd Cinxo, një shok i imi i ngushtë fëmijërie, violinë e parë në Teatrin e Operas dhe Baletit, si dhe tri muzikantë të rinj, Emanuel, Marsid dhe Brian, përkatësisht në instrumentat;bass, bateri dhe kitarë. Klipi është realizuar nga dy djemtë të talentuar nga Kosova.
Cili shtë subjekti i kësaj kënge, që duket qartë se udhëhiqet nga shpirti i revoltës?
Materiali është një revoltë e subkoshiencës për fatin që përndjek vendin dhe të gjithë bashkëkombësit anembanë. Do të duhej pikërisht ajo shkundje e forcës së natyrës për të zgjuar këdo që përjetoi atë ankth nate të frikshme, dhe të kuptonte se sa të vegjël jemi. Por akoma më i trishtueshëm është fakti kur kupton, se në rang emergjence kombëtare jeton në një vend totalisht të papërgatitur për të përballuar situata te tilla. Ndërsa zemra të thyhet , kur merr lajmin e hidhur se dhjetëra jetë njerëzish ndërrojnë jetë orë pas ore, minutë pas minute, sepse askush nuk është i aftë që t’i ndihmojë, ndonëse ata janë aty, vetëm pak metra më poshtë.
Duket se ka shumë trishtim në këtë këngë, sikur je shndërruar në zërin e të gjithëve….
Po, sepse trishtimi nuk ka fund dhe ndërsa jeta kalon, ditët përcjellin lajmet se të shumtë janë ata që largohen nga ky vend. Pjesa më e madhe janë të rini, specialistë të fushave të ndryshme, sidomos të mjekësisë, të kontraktuar nga spitalet gjermane që s’i për ironi të fatit në këto ditë të vështira pandemie, do të ishte e destinuar t’i shërbenin të huajve me shumë se sa gjakut të tyre. Historia siç duket paska qenë e tillë, ky komb do të qëndrojë për një kohë të gjatë në tranzicion, me shpresën se një ditë do të bëhet më mirë, si një serial televiziv që nuk mbaron kurrë, dhe ndërsa njerëzit vdesin, aktorët ndërrohen, filmi vazhdon dhe askush nuk arrin të shohë fundin e tij, i lumtur apo i gëzuar qoftë ai.
Përmendet dhe Gjergj Fishta në këtë këngë. Me ç’qëllim jeni kthyer pas në kohë tek figura që s’jetojnë më?
Jo më kot përmenden edhe shprehje nga legjendari, At Gjergj Fishta duke i kujtuar vetes dhe të gjithë bashkëkombësve se vendin e kemi, por jemi ne që duhet të ndryshojmë, apo duke ritheksuar faktin se Europa këtë vend nuk e ka përkrahur ndonjëherë, (sikurse ndodhi në kohën e ndarjes së kufijve, në vitin 1913). E sikurse edhe fqinjët serbë e grekë që gjithmonë kanë kërkuar ta shohin këtë vend si koshin e plehrave të Ballkanit. Prandaj përgjatë gjithë poezisë nënvizohet një thirrje për të besuar tek vetvetja e jo tek te tjerët. Në këtë projekt marr guximin të hedh dritë mbi gjakun tim, duke treguar hapur çdo detaj që unë dhe subkoshienca ime po përjetojmë, duke u shprehur se gjithçka që po ndodh e bëhet është një sistem skenaresh, qe i ka përpirë të gjithë brenda tij, dhe po luan me fatet e jetët e cilido.
Po e shpjegon këtë situatë sikur të jetë një lojë …
Po. Kjo lojë,ky film, kjo shfaqje teatrale apo edhe projekt afatgjatë ka një origjinë të largët, por kjo nuk do të thotë se kjo gjë e stisur dhe e mirëmenduar ndaj nesh nuk mund të zhbëhet, nëse me shpirt të pastër dotë duam të bëjmë ndryshimin. Atëherë me besimin tek vetja , të mblidhemi së bashku, të largojmë të keqen e këtij vendi, të biem në një mendje se ky vend na përket ne dhe vetëm ne mund ta bëjmë që të jetohet. Nëse kjo do të ndodhë herët a vonë, një e ardhme më e mirë do të lindë bashkë me rrezet e diellit për fëmijët tanë, për jetët tona. Kjo vihet re duke u shprehur qartë në çdo refren, ku pas strofave dëshmuese plot patos dhe revoltë konceptohet një mesazh pozitiv dhe optimist se një ditë e ardhmja do të ndryshojë. Sot me shumë se kurrë, një për të gjithë dhe të gjithë për një. Ju dua shqiptarë, të dua Shqipëri!
Kur do e publikoni këtë klip ndryshe nga të tjerët?
Të stepur nga efekti i pandemisë që ka prekur gjithë botën, u detyruam të mos ta publikojmë, por sigurisht tashmë po vjen momenti për ta bërë publik klipin dhe mendojmë që më 1 Maj ta publikojmë. Gjithashtu unë rikthehem aktiv edhe në kanalin tim në YouTube, ku do të ketë video çdo javë, çdo të martë dhe të shtunë me covera nga artistë të njohur dhe këngë të miat. Pasi karantina ka edhe anën tjetër të medaljes, që të jep të gjithë kohën e mundur për t’u marrë me muzikë. Planet e afërta janë sërish një bashkëpunim me Bess, me një material që do thyejë disi rutinën e këngëve tona, dhe do t’i kushtohet dashurisë.
Rikthehesh sërish me Bess pas shumë vitesh që ju pamë në “Top Fest”. Ideja për këtë klip me mesazh të fortë ishte e hershme apo e momentit?
Besmir Kellezi, emri i artit Bess, është një person novator dhe drejtues i një kopmanie të njohur. Prezantimi i tij i parë ishte në “Top Fest” në një bashkëpunim tonin, me këngën “Harroje Ti”. Ka realizuar disa materiale të ndryshme në rrymën Hip Hop, të publikuara në kanalin e tij në Apple Store dhe Spotify. Shumica e këngëve të tij janë në anglisht, në bashkëpunim edhe me artistë të tjerë ndërkombëtarë. Përpara se të realizohej kënga “Shqiptar”, unë dhe Bess kishim realizuar një tjetër material së bashku me titull “We can”, një mesazh për paqen mes njerëzimit, me tre histori të ndryshme të shkëputura nga jeta reale në Shqipëri, Siri dhe Amerikë. Të dy kishim menduar që do të bënin një ditë një klip për këtë temë, por atdhedashuria dhe ndjenja e devotshmërisë ndaj gjakut shqiptar bëri që ta zhvendosnin fokusin tonë tek historia dhe realiteti ku jetojmë./www.story.al