Ricky Martin flet për herë të parë për divorcin nga partneri

Këngëtari i “Livin’ La Vida Loca” foli për herë të parë për ndarjen nga bashkëshorti, Jwan Yosef, me të cilin ishte i martuar prej gjashtë vitesh. Në një intervistë për televizionin Telemundo Puerto Rico, artisti tregoi se ndarja e tij nga partneri kishte nisur që para periudhës së pandemisë.

“Jwan dhe unë do të jemi gjithmonë një familje. Ne kemi dy fëmijë që do t’i rrisim bashkë. Ndarja nuk ndodhi kaq thjesht, ne e kishim planifikuar situatën që para pandemisë.” Ai shtoi: “Kur publiku e mori vesh, ne e kishim kaluar periudhën më të vështirë. E dinim që kjo duhej për të mirën tonë dhe për mirëqenien e fëmijëve tanë. Jemi më mirë se kurrë, edhe pse të ndarë.”

Martin dhe Yosef, përmes një deklarate të përbashkët në fillim të korrikut njoftuan publikun për vendimin e divorcit.

Këngëtari i “Tiburones” zyrtarizoi lidhjen me partnerin në vitin 2016 kur dyshja mori pjesë tapetin e kuq të AmfAR Gala. Po atë vit, ata njoftuan se ishin fejuar. Ai dhe Yosef kanë dy fëmijë: vajzën Lucia dhe djalin Renn. Artisti Martin është baba edhe i binjakëve 14-vjeçarë Matteo dhe Valentino, që lindën nga një nënë surrogate në vitin 2008.

“Dëshira jonë më e madhe tani është të kemi një dinamikë të shëndetshme familjare dhe një marrëdhënie të përqendruar në miqësinë e vërtetë, ndërsa edukojmë fëmijët tanë”, thuhej në deklaratën e tyre të divorcit. “Ne ju falënderojmë për gjithë dashurinë dhe mbështetjen që morëm gjatë gjithë martesës sonë. Ne jemi bashkë edhe në këtë kapitull të ri të jetës.”