Reuters dhe VOA i bënë jehonë, kërcënohet me vdekje piktorja që ekspozoi Kurtin dhe Vuçiç duke u puthur në buzë
“Unë linda kur ishte vendosur paqja dhe lufta kishte marrë fund. Pavarësisht se sa të thella janë marrëdhëniet kaotike mes Kosovës dhe Serbisë mendoj se mentaliteti i rinisë dëshiron paqen me shumë se gjithçka”, thotë Emira Murati.
Kjo vepër është një lloj kritike kundër liderëve të dy shteteve. Piktura e saj, e cila është 3 metra e lartë tregon kryeministrin Kurti dhe Presidentin Vuçiç teksa përqafojnë njëri-tjetrin dhe puthen me sytë e mbyllura.
“Historia regjistron puthjet për momentet e dhimbjes dhe lamtumirës. Por historia na kujton gjithashtu edhe për puthjet e vëllazërisë e madje edhe të tradhtisë.
A do të jetë kjo një prej tyre”, kështu shkruante Ermira më 17 shkurt, kur prezantoi në rrjetet sociale pikturën e saj, me rastin e 15-vjetorit të pavarësisë.
Por mijëra komentues në rrjetet sociale kane reaguar me mesazhe urrejtje e madje edhe kërcënime me vdekje ndaj pikturës. “Ti meriton plumbin”, i shkruan një përdorues.
“Kërcënimet nuk kanë ndikim tek unë. Nuk do më ndalin. Në momentin qe reagojnë e kuptoj se mesazhi ka shkuar në vendin e duhur”, thotë ajo.
Murati tregon se piktura e re përcjell mesazh të pastër politik, dhe se është e mësuar me kërcënimet.
Edhe vitin e kaluar u përball me një reagim të njëjtë kur realizoi një pikturë të dy burrave me kostume tradicionale që putheshin në buzë, si gjest mbështetje për komunitetin gay në Kosovë.