Renato Mekolli: Sekreti i restorantit tim në Tiranë, Oriela Nebijaj ishte personi që më bëri “klik” për ta pasur pranë meje

Profili i një shefi kuzhine si ai, nis me pjatat plot finesë e përfundon me natyrën e tij tejet spektakolare. Edhe pse nuk druhet të provojë gjithçka në jetë, Renato Mekolli thotë se në kuzhinë ndihet me të vërtetë në qiellin e shtatë. Pasi ka fituar tre herë çmimin “Kapelja e Artë” në Greqi, ai u rendit ndër 13 shefat më të vlerësuar që ndryshuan gastronominë greke. Tani është koha e kuzhinës shqiptare, ndaj këtë muaj do të inagurojë në Tiranë “UMAMI restaurant By Renato Mekolli”. Bashkë me ndjesinë më të thellë të shijes së pestë që do të gjejmë në restorantin e tij, Renato na zbulon të gjitha sekretet e tjera të jetës në këtë intervistë ekskluzive për revistën “Story”.

Renato Mekolli, i qeshur dhe energjik, cili është sekreti yt?
Të shijoj çdo moment jetën, dhe të kem pranë meje njerëz me energji pozitive.
Po shija që ke për njerëzit, si duhet të jenë ata që të të bëjnë për vete?
Të jenë pozitivë, të kenë një fije çmendurie, dhe të shijojnë jetën po ashtu në çdo moment që kalon.
“UMAMI” restaurant By Renato Mekolli do të jetë vendi në Tiranë, ku do të shijojmë pjatat e tua nga ky dhjetor. Pse “Umami”?
UMAMI, “umai” (delicious, e shijshme) dhe “mi” (taste, shije), është përshkrimi i ndjesisë më të thellë se sa të shijuarit e shijes së zakonshme. UMAMI është shija e pestë pas së ëmblës, së athtës, së hidhurës dhe së kripurës. Shija që përfaqëson UMAMI është “shija e këndshme e kënaqësisë”. Kjo shije e cila kapet nga receptorët e gjuhës, por ndihet deri në qiellzë, grykë dhe tru. Të gjithë njerëzit mund ta ndjejnë ndryshe këtë shije. E zbuluar në 1908 nga profesori japonez Kikunae Ikeda, UMAMI është një shije tepër e vështirë dhe e veçantë për t’u përcaktuar dhe zbulimi e përcaktimi i saj përmirësohet me kalimin e viteve.
Miqësia me Oriela Nebijaj po forcohet në bashkëpunimin tuaj për ngritjen e këtij restoranti. Si u bëtë bashkë?
Ori ishte ai person që më bëri klik, dhe të them “po” ky është ai njeri, me të cilën do të hap restorantin pas shuuuumë njerëzve të ndryshëm, që donin të ishin pranë meje në këtë hap. Ideja erdhi rastësisht, ndërsa po diskutonim për restorantin, dhe unë po i tregoja detaje nga çfarë unë kam në mendje. Një ditë të ftohtë dimri, me një gotë vere dhe pranë oxhakut u pamë në sy dhe thamë: pse nuk e bëjmë bashkë këtë restorant?! Dhe, PO! Kjo dyshe ishte ajo që unë doja për këtë restorant.
Çfarë do të sjellësh ndryshe në Tiranë me gatimet e tua?
Restoranti do të jetë i prekshëm nga të gjithë, pasi mund të vijnë dhe të hanë një drekë, por edhe një darkë pa shpenzuar shumë. Do të ketë jo 1 jo 2, por shumë koncepte të ndryshme, me stil, ide dhe me një kuzhinë gjigande në stilin “open kitchen”. Mezi po pres të hyj në kuzhinën e restorantit që nuk është vetëm i imi. Do të jetë restoranti juaj, dhe i gjithë shqiptarëve.
Pra klientët e tu nuk do të jenë njerëz vetëm të rëndësishëm?
Klientët e mi do të jenë njerëz të zakonshëm, e sigurisht edhe njerëz të rëndësishëm. Por nga unë nuk do të veçohet asnjë prej tyre. Për mua të gjithë klientët do të jenë njësoj. Respekt për të gjithë ata që do të vijnë, do të hanë dhe do të paguajnë!
Njihesh si shefi i rreptë i kuzhinës, nisur nga eksperienca televizive në “Top Channel”. Duhet të jesh i egër apo i ëmbël në marrëdhënie me të tjerët për të pasur sukses në jetë?
Në punën time jam i rreptë, sepse vetëm ashtu mund të mësojë dikush. Unë personalisht, dua që çdo ditë të jem një njeri edhe më i mirë e me këmbë në tokë. Jeta është e egër, por e kemi ne në dorë që të komandojmë jetën tonë.
Ky restorant vjen pas botimit të librit “Sekretet e shijes”, që u rendit ndër më të shiturit në Panairin e Librit këtë vit. I kënaqur me fitimet?
Libri në “Panairin e librit” pati sukses që ditën e parë që doli, dhe kjo tregon që njerëzit e dashuruan direkt, dhe mezi e prisnin. U shitën të gjitha kopjet dhe këto ditë pritet të ribotohet dhe të shpërndahet në të gjitha libraritë e vendit. Në fakt për mua nuk ishte qëllimi që të fitoja sa më shumë para, qëllimi im i parë ishte që të preket nga të gjithë ky libër me receta të thjeshta, të kuptueshme, dhe me produkte që gjenden në çdo market.
Recetat në librin tënd janë për pasanikë apo njerëz në nivel mesatar?
Recetat në librin tim “Sekretet e shijes” janë për njerëz të zakonshëm, ky ishte qëllimi im, të preket nga të gjitha grupmoshat dhe të jetë në çdo bibliotekë të shtëpisë së tyre, dhe mbi të gjitha të kuptueshme, por edhe të gatuhen si nga femrat edhe meshkujt.
Libri yt është për shefat e kuzhinës apo për amvisat?
Me librin kam shumë vite që punoj. Recetat e përfshira në të janë përgatitur dhe janë provuar në restorante te ndryshme ku unë kam qenë si chef. Por duke qenë se recetat e një restoranti dhe të përgatitura nga një chef janë pak të komplikuara, unë jam munduar që t’i bëj sa më të thjeshta për amvisat që kanë në dorë librin tim të parë, me teknika, detaje, si dhe sekrete. Është një libër, që është punuar me shumë kujdes. Çdo pjatë është përgatitur dhe provuar para se të vendoset në libër.
Deri tani, cilët personazhe të njohur i kanë shijuar aq shumë pjatat e tua sa kanë lëpirë gishtat, siç thuhet në gjuhën popullore?
Ushqimin tim këtu në Shqipëri e ka shijuar e gjithë politika shqiptare, si dhe ambasadorët në Shqipëri. Jam shumë i kufizuar në këtë pjesë, pasi nuk dua të humbasë interesi i restorantit tim. Por gishtat i ka lëpirë më shumë Arbana Osmani, e cila gatuan dhe shumë mirë.
Për të pasur një ide të çmimeve, sa do të kushtojë një pjatë spageti në restorantin tënd?
Në restorantin tim do të jenë çmimet aq të ulëta, dhe me cilësinë më të lartë, saqë nuk mund ta imagjinoni. E kam thënë dhe e them ky restorant vërtet do të jetë i imi, por ky restorant po hapet për të gjithë shqiptarët që dinë dhe duan të hanë mirë, që kërkojnë diçka ndryshe, që duan maksimumin dhe të ndihen të përkëdhelur dhe si në shtëpinë e tyre. Me mua dhe me Orin nuk mund të ndodhë ndryshe.