Reja zbulon prapaskenën me Hysajn: Më tregoi që bashkë me skuadrën ndoshta kishin frikë…

Napoli pësoi një humbje të rëndë në shtëpi përballë Milanit, në një sfidë ku nuk u duk vetvetja dhe gaboi thuajse gjithçka. Një kolaps si ai që u pa në edicionin e kaluar, ku në fund u dorëzua në luftën për një vend në Ligën e Kampioneve pas barazimit me Veronën, duke ia dorëzuar vendin Juventusit.

Një ngjarje të cilës iu kthye edhe Edi Reja, trajneri i përfaqësueses shqiptare, i cili zbuloi një prapaskenë të veçantë pas një bisede me Elseid Hysajn. “Hysajn e pyeta në grumbullim me Kombëtaren e Shqipërisë se çfarë kishte ndodhur me Veronën. Ai më zbuloi se ai dhe shokët e tij ndoshta kishin pasur pak frikë, që ndjenin trysninë e ambientit.

Mendoj se kam parë në ndeshjen e djeshme të njëjtën frikë. Pastaj ishte edhe ajo penallti që iu vërshëllye Osimhen, por nuk duhet të ndalemi te episodet. Për Napolin këtë herë nuk ka marrë fund asgjë, pasi mbeten edhe 10 ndeshje”, shpjegoi Reja në një intervistë radiofonike.

PANORAMASPORT.AL