Reja telefonon Kumbullën: Rri i qetë, duhet të vjedhësh sekrete nga ekspertët!

Marash Kumbulla është një nga mbrojtësit që garantojnë të ardhmen e Kombëtares. Absolutisht, pa e fshehur që momentalisht me të tjerë si Gjimshiti në krah, ai do të ishte pikë e fortë për prapavijën e kuqezinjve. Së fundmi, në mediat italiane është zbardhur edhe një bisedë e ndodhur mes trajnerit Edoardo Reja dhe mbrojtësit të Romës, Kumbullës. Ndër të tjera, trajneri ka komunikuar me djaloshin shqiptar, me mesazhe mbështetëse që sidomos i shkojnë për shtat një konteksti të momentit jo të mirë. Ç’ka me gjasë mund të ketë ndodhur edhe pas sfidës së Romës ndaj Juventusit, ku Kumbulla mori kritika.

PRAPASKENA – Kumbulla e nisi në mënyrë të shkëlqyer aventurën me Romën, duke u gjendur shpejt titullar dhe duke shënuar dy gola, ndaj Milanit dhe ndaj Jang Bojs. Mirëpo, pas kontaminimit me COVID-19, Kumbulla e humbi rolin e titullarit dhe shpesh është përballur me kritika të shumanshme, pa harruar që sapo i ka mbushur 21 vjeç. Sidomos për periudhën e fundit, i gjendur mes vështirësive, trajneri i Kombëtares, Edoardo Reja ka zgjedhur të bisedojë me qendërmbrojtësin, për t’i qëndruar atij pranë me këshilla të vlefshme. “Rri i qetë dhe vazhdo që të luash siç di. Je i ri dhe ke të drejtën që të rritesh. Përpiqu që të vjedhësh sa më shumë sekrete nga stërvitjet që bën me lojtarë ekspertë në mbrojtje. Do të jetë shumë i vlefshëm për ty ky sezon”, zbardhet ndër të tjera biseda e trajnerit me mbrojtësin.
reja-15-nentor

FLET TRAJNERI – Vetë Edi Reja ka komentuar paraqitjet, rrugëtimin e Kumbullës në elitë si dhe cilësitë që ka qendërmbrojtësi. “Të rinjve nuk mund t’u kërkosh gjithçka menjëherë. Kumbulla është një djalë serioz dhe është duke mësuar. Edhe nga ndonjë gabim. Nuk duhet që të harroni së te Verona luante në një tjetër mënyrë. Me trajnerin e Romës, Fonsekën, është duke u përshtatur me një tjetër mënyrë mbrojtjeje. Duhet pak durim. Kumbulla është shumë i zoti për të lexuar situatat, trajektoret dhe i parashikon saktë vendosjet. Në duelet me kokë është e vështirë ta mundësh. Jam i bindur që do të jetë një investim i shkëlqyer për Romën. Besoj që këtë periudhë po vuan edhe mungesën atletike, shkaktuar nga pushimet prej COVID-it”, ka deklaruar Reja në mediat italiane rreth shqiptarit.

PANORAMASPORT.AL