Regjisori Renato Balla: Instikte kafshërore në skenën kulturore sot, si e rimishërova në klip “Bagëti e Bujqësi” të Naim Frashërit

Një klip me titull “Bagëti e Bujqësi”, kënduar nga artisti i ri Killua, ka marrë vëmendje këto kohë në tregun e muzikës, realizuar nga regjisori Renato Balla.

Kënga vjen si rimëshirim i poemës së famshme, që u shfaq në skenën letrare të vitit 1886, ku Naim Frashëri përshkruante në mënyrë idilike vendlindjen e tij. Por për rrëfimin sarkastik të skenës artistike sot në klipin që mban të njëjtin titull dhe çfarë nuk po shkon mirë me artin dhe kulturën e Shqipërisë së Naimit, regjisori Balla i zbulon në këtë intervistë për “Panorama Plus”.

Je regjisori i një klipi të fundit me skena avanguarde me titull “Bagëti e Bujqësi”. Çfarë e lidh këtë projekt me kryeveprën e Naim Frashërit “Bagëti e Bujqësi”?

Vepra “Bagëti e Bujqësi” është shkruar nga autori Naim Frashëri gjatë kohës që ai ka qenë larg Shqipërisë. Nëpërmjet asaj vepre ai tregon mallin dhe dashurinë, që kishte për vendin e tij. Kënga “Bagëti e Bujqësi” nga artisti Killua në mënyrë sarkastike përpiqet të tregojë se çfarë nuk po shkon mirë me kulturën dhe vendlindjen e Naim Frashërit. Artisti përmes vargjeve shprehet se për të është më e rëndësishme një koncept sesa një vlerë e caktuar monetare. Sigurisht duke dashur, që ky koncept të ndryshojë sadopak kulturën e vendit tonë.

Cili është realiteti që pasqyrohet në klipin tuaj ku flitej për hipokrizi në rrethet e artistëve dhe klikime?

Në klip jemi munduar të paraqesim apo pasqyrojmë një realitet ndryshe nga ai i skenës shqiptare, duke sjellë diçka jo konvencionale, diçka të freskët, një gjuhë vizuale që mundohet të bëjë diferencimin nga të tjerët. “Realiteti” që kemi pasqyruar aty është një realitet imagjinar, gati-gati që nuk ekziston në përditshmërinë tonë, e cila vjen në formën e një balance perfekte me të thjeshtën, futuristiken dhe atë konceptualen. Jam munduar që klipi më shumë sesa të vijë thjesht bukur te spektatori kam dashur të tregojë që pas tij ndodhet një proces mendimi i gjatë në identifikimin e gjuhës vizuale, ku kemi vendosur ta shprehemi nëpërmjet imazhit, pra, fotografisë së videos.

“Vendëthit e bekuar ju mendjen ma defreni”, thotë Naimi në përshkrimin e tij idilik. Po ju çfarë jua dëfren mendjen në kohën që jetojmë?

Mmmmm, gjërat që më dëfrejnë janë të shumta… Duke qenë se jam dhe pak natyrë që më pëlqen të provoj shumë gjëra njëkohësisht në fushën e artit (edhe pse shpesh e ndaloj këtë dëshirë duke qenë se më duhet të fokusohem vetëm te diçka, gjërat të cilat realisht më dëfrejnë janë pikturat e mira, një fotografi e mirë, një skenar i mirë, të bëj “research” rreth gjërave që më interesojnë dhe mbi të gjitha një film i mirë. Ama, shpeshherë mënyrë dëfrimi për mua janë dhe serialet trash (qesh).

Killua i “Bagëti e bujqësi” erdhi te ti apo ti te Killua për realizimin e këtij projekti?

Unë kam kohë që njihem me Killuan dhe gjithmonë kemi dashur të realizojmë diçka në formën e një bashkëpunimi. Realizimi i këtij projekti dhe shumë të tjerave ka ardhur në mënyrë spontane, mund të them se si pasojë e vlerësimit, vizionit dhe gjuhës artistike që kemi patur dhe gjetur te njëri-tjetri. Gjithashtu e kemi ndjerë si një “detyrim” moral për të dhënë një kontribut tonin ndaj gjeneratës së re që ne i përkasim. Mbi të gjitha mund të them se krijimet, pra, këngët e Killua dhe Sir-A më kanë folur kur i kam dëgjuar për herë të parë dhe kjo ka qenë dhe është gjëja e parë dhe më e rëndësishme për mua.

Si regjisor, ç’mendove të sillje ndryshe me xhirimet e tua dhe pse mund të themi se je disa hapa para të tjerëve me konceptin tënd?

Nuk di ta përcaktoj veten nëse jam para apo jo nga të tjerët, por ajo çka di të them është se unë në koncept dhe vizualisht solla influencat me të cilat jam rritur, gjërat që mua më pëlqejnë, por mbi të gjitha sesi unë e perceptoj të bukurën. Në fund të fundit, ajo që na diferencon nga të tjerët është diversiteti në mendime e krijim dhe ai në vetvete.

Male të thepisura dhe njerëz që ngjasojnë me robotët në klipin tuaj “Bagëti e Bujqësi”. Ç’ke dashur të thuash me ndërveprimin mes këtyre modeleve të rinjsh, që sjell në skenat e klipit?

Për mua është shumë e rëndësishme që gjithmonë në projektet artistike, të cilat marr përsipër ose realizoj mundohem t’u jap një zë çdo komuniteti njerëzish, që janë ose që ne i etiketojmë si ndryshe ose të veçantë. Prezenca apo ndërveprimi i atyre modelëve, të cilët nuk janë modelë apo aktorë profesionistë, por janë bërë çast dhe janë zbuluar nga rruga, ka qenë qëllimi për të thënë se edhe ata duhet të kenë një zë, dhe se të qenurit ndryshe s’është e gabuar. Atë skenë që ju e përshkruat në pyetjen tuaj në lidhje me klipin mund të them që gjithashtu kanë qenë dhe influencat nga filmat si: ai aksion fantastiko-shkencor amerikan “Matrix” apo ai horror superhero amerikan “Constantine”.

Teksti i këngës është si lojë fjalësh, ku nuk mungojnë fjalët e pista. Çfarë ka poetike në atë fabul dhe cili është mesazhi që përcillet?

Zakonisht, mendja njerëzore funksionon duke e ndarë fjalorin në dy pjesë, rruge dhe jo rruge. Por në të vërtetë a ekziston një ndarje e tillë? Mesazhi që percillet nga ky produkt artistik audio-vizual është se ka ardhur koha për rinovimin e skenës kulturore. Kënga përpiqet në mënyrë sarkastike të tregojë gjendjen e kulturës sonë kolektive, e cila është e bazuar në instinktet kafshërore.

Ndryshe nga klipet e kohës mungojnë imazhet seksi. Pse kjo zgjedhje?

Nuk mendoj se imazhet seksi janë diçka e gabuar nëpër klipe, filma apo në përgjithësi në artvizual. Deri në momentin që ajo i shërben veprës artistike dhe trajtohet bukur s’ka asgjë të gabuar, por përkundrazi është diçka e cila duhet vlerësuar për të bukurën e saj. Në rastin tonë, imazhe të tilla ishin të panevojshme, pra, nuk na shërbenin si pjesë e gjuhës sonë vizuale.

Si një ish-student i regjisorit të ndjerë Gjergj Xhuvani, çfarë sekretesh të ka mësuar për ta kthyer në art çdo moment nga jeta?

“Renato, kërko afër shtëpisë tënde, mos shko larg, dhe nëse ke një histori ose diçka për të thënë për të thënë, thuaje!” Besoj ky ka qenë sekreti apo këshilla më e mirë, që mund të kem marrë nga profesor Gjergji.

Cilët mendon se janë emrat e rinj premtues në artin vizual në Shqipëri dhe a janë ato ndryshe nga artistët e brezave të tjerë?

Emrat që unë mendoj se janë e ardhmja e artit vizual në Shqipëri janë: Griselda Demaj, Edison Balla, Gabriel Camaj dhe Engi Lura. Janë këto emrat, të cilët unë besoj që shumë shpejt nuk do jenë vetëm emra të njohur lokalisht, por do të arrijnë dhe tregun ndërkombëtar. Ajo çka unë mendoj se i bënë ndryshe këta emra që përmenda dhe në diferencë me brezin e kaluar është fakti që janë guximtarë dhe se nuk kanë frikë të shprehin të vërtetën e tyre në mënyrën më të sinqertë në mediumet që ato bëjnë pjesë.

/Panoramaplus.al/ Nga Klotilda Harka