Redon Makashi ka njohur Mira Konçin me Shpëtim Saraçin, këngëtari tregon si ka qenë takimi i tyre i parë
Mbrëmjen e djeshme Redon Makashi ishte protagonist i emisionit “Këndo këngën time” në “Vizion Plus”. Këngët e tij të kënduara nga artistët e rinj i sollën Redonit në mendje shumë kujtime nga fillimet e karrierës. Përpos hapave të parë në muzikë, këngëtari ka rrëfyer se si ka shërbyer si urë lidhëse për njohjen e dy artistëve, Mira Konçit dhe Shpëtim Saraçit. Redoni ka treguar se me Mirën është njohur për herë të parë në tren dhe ka qenë ai që e ka ftuar të bëhet pjesë e grupit që kishte krijuar me disa djem të tjerë.
Më pas ai ka treguar se Saraçi i kërkonte gjatë gjithë kohës që ta njihte me Mirën dhe ai ja realizoi dëshirën. “‘Ti nuk ke grup pse nuk vjen me grupin tonë’, i thashë Mirës dhe e pranoi direkt ftesën. Kemi qenë fëmijë në atë kohë dhe ky ka qenë prezantimi ynë i parë në një tren dhe prej andej ju thashë çunave të grupit do marrim edhe Mirën në grup që të jemi bashkë. Ata e pritën me shumë dëshirë dhe krijova në atë kohë një këngë ‘Ndoshta ishte dashuri’ dhe siç hyri ashtu doli nga festivali, sepse Mira këndoi dy këngë. Mua më tha Shpëtimi ‘ta orkestroj unë këtë këngë’ për ‘Ndoshta ishte dashuri’. Shkuam te shtëpia ime dhe filluam në atë tastierën e lashtë dhe në çdo bisedë Shpëtimi më thoshte, ‘si t’ja bëj të flas me Mirën?’. Po mirë i thashë flisni dhe aty më tha kam bërë një këngë për Mirën. E takoj Mirën dhe i them ky është miku im Shpëtimi, ka bërë një këngë dhe kështu ndodhi prezantimi i tyre i parë”, ka rrëfyer Redoni. Më pas ai shtoi se ka marrë dhuartë edhe një palë këpucë nga Mira dhe Shpëtimi për njohjen.