Rebelohet Stefi Prifti, flet pa doreza për deputimet “live” në “Kënga Magjike”
“Për gjithçka dhe për ç’do gjë!E ndoqët emisionin e pasdites të Rudina Magjistarit në Klan? A mund të më thotë dikush, ky vend që quhet Shqipëri nuk ka muzikantë dhe kritikë arti për të vlerësuar muzikën shqiptare? Unë e di që ka shumë, por janë të papunë. Pothuaj nuk i ftojnë për të folur dhe diskutuar. Si ka mundësi që ç’do opinion apo “kritikë” do ta bëjnë vetëm gazetarët e portaleve?! Flasin për produksionet sikur të ishin karamelja, njohës të notave, harmonisë, ritmeve, teknikës, gjendjes, llojit, ndjesisë, miksimeve, masterizimeve, etj..Askush prej tyre nuk ka asnjë vit studimi të vërtetë rreth muzikës dhe kritikës muzikore. Nuk bëhet fjalë për studime shumëvjeçare që kërkon MUZIKA! Unë që po shkruaj këtë status kam bërë 16 vjet studime, gjithë jetën me muzikë dhe e kam shumë të vështirë, ose jam shume i kujdesshëm në opinionet e mia kritike. Këta flasin për stonimet e pafundme “më pëlqejnë stonimet e shumta, sepse tregojnë që këndohet live…”! Më vjen shumë keq, që sonte diskutohej një festival muzike dhe në këtë panel nuk ndodhej asnjë muzikant apo kritik arti! Disa nga këta gazetarë i vlerësoj për programet e tyre personale, por nuk mund të pajtohem kurrë me ndikimin e tyre në audiencë publike, analitike dhe ndikimit të drejtpërdrejtë të publikut në këtë vorbull shijesh! Natyrisht, mendimin e tyre do e respektoja si mendim të lirë, por nuk kanë vend fare për analizë artistike. Si munden dhe marrin kurajën të flasin për gjithçka, për ç’do gjë?!Politikë, art… për gjithçka, e për ç’do gjë! Vetëm këtu ndodhin këto “akrobacira” mediatike! Së pari (me gjithë respektin që kam) mendoj se ishte një përzgjedhje e keqe e vetë moderatores për këtë analizë. E meqenëse siç u diskutua në emision, që sot jemi të lirë për të shprehur mendimet dhe pa hatërmbetje edhe unë nuk dua të keqkuptohem dhe t’i ngeli hatri askujt. Mos të filloj të flas për vjedhjet e pafundme dhe asnjëherë të diskutueshme, dhe as që bëhet fjalë të dënueshme…! Eh! Mbase bëj gabim që shkruaj, por kurrë nuk jam pajtuar me mashtrimin dhe intrigën, edhe pse e di që më dëmton personalisht në këtë garë këngësh, apo debat të pabarabartë”.