Reali i bën presion Ramosit, Perez kërkon të transferojë mbrojtësin e…

Reali i Madridit është duke parë nga e ardhmja dhe po mendon për lëvizjet në merkato, pavarësisht krizës që ka prekur në përgjithësi futbollin dhe në veçanti klubin madrilen. David Alaba është i pari në listën e dëshirave, por jo i vetmi që po përflitet në zyrat e “Valdebebasit”.

Emri i Pau Torresit është lakuar disa herë mes drejtuesve, të cilët e mendojnë si zëvendësuesin ideal për Serxho Ramosin. E ardhmja e kapitenit është e lidhur ngushtë me të ardhmen e mbrojtësit tjetër spanjoll, i cili do të ishte gati të pranonte menjëherë transferimin në Madrid. Pau Torres i ka të gjitha të dhënat për të qenë pjesë e planeve për të ardhmen te Reali i Madridit. Është vetëm 23 vjeç, por ka shkëlqyer në elitë me Vijarealin. Ia ka dalë që të sigurojë dhe të bindë Luis Enriken për t’i besuar vendin e titullarit në kombëtaren spanjolle. Ai ka arritur të luajë 6 ndeshje si titullar nga 8 duelet e fundit me “Furinë e Kuqe”.

Klauzola e tij është 50 milionë euro, një shifër e rëndësishme duke parë situatën ku ndodhen klubet prej pandemisë. Por raporti i mirë mes Vijarealit dhe Realit mund të ndihmojë këta të fundit. Por madrilenët nuk janë skuadra e vetme që kanë shfaqur interes për mbrojtësin spanjoll. Arsenali gjithashtu ka kërkuar informacione, por për Unai Emerinë ai është i paprekshëm. Ka qenë titullar në 17 ndeshjet e luajtura deri tani në kampionat. E vërteta është që mbrojtja e Realit për vitin e ardhshëm është si një ekuacion dhe klubi ka vendosur që ta forcojë. Nga njëra anë dëshiron të zgjidhë sa më shpejt situatën e Ramosit, i cili kuptohet mjaft mirë me Torresin në kombëtare.

Kapiteni madrilen ende nuk e ka rinovuar kontratën dhe e ardhmja e tij nuk dihet. Në Spanjë ka disa media që e interpretojnë interesimin e Realit për Pau Torresin si një lloj presioni për Serxho Ramosin. Kapiteni duhet të pranojë të rinovojë me kushtet që i ka vendosur Reali (kontratë 1 vjeçare me ulje page), por ai dëshiron kontratë 2-vjeçare. Gjithçka do të zgjidhet në të ardhmen, por nga data 1 janar Serxho Ramos është i lirë që të flasë me disa skuadra të ndryshme për të zgjedhur ekip të ri.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI