REAGIMET/ Princesha Kate shokon Britaninë: Kam kancer dhe po bëj kimioterapi
Princesha e Uellsit, Kate Middleton konfirmoi këtë të premte se është në fazat e para të trajtimit pasi është diagnostikuar me kancer. Në një mesazh video të shpërndarë nga Pallati Mbretëror Britanik, Catherine thotë se lajmi që mori nga analizat ishte një “shok i madh” pas “dy muajsh tepër të vështirë”. Megjithatë ajo u përpoq të dërgonte një mesazh pozitiv, duke thënë: “Jam mirë dhe po forcohem çdo ditë e më shumë”.
Detajet e kancerit nuk janë bërë të ditura, por Kensington Palace thotë se ka besim se princesha do të shërohet plotësisht. Deklarata e princeshës shpjegon se kur ajo bëri një operacion abdominal në janar, nuk dihej që kishte kancer.
“Më pas testet pas operacionit zbuluan se kanceri ishte i pranishëm. Prandaj ekipi im mjekësor më këshilloi që duhet t’i nënshtrohem një kursi të kimioterapisë parandaluese dhe tani jam në fazat e hershme të këtij trajtimi” – tha princesha. Trajtimi me kimioterapi filloi në fund të shkurtit. Pallati Mbretëror thotë se nuk do të ndajë asnjë informacion të mëtejshëm mjekësor privat, përfshirë edhe llojin e kancerit.
Princesha, 42 vjeçare, tha se po mendonte për të gjithë ata që janë prekur nga kanceri, duke shtuar: “Për të gjithë ata që përballen me këtë sëmundje, në çfarëdo forme, ju lutemi mos e humbni besimin apo shpresën. Ju nuk jeni vetëm”. Catherine tha se kishte marrë kohë dhe prioriteti tani ishte të qetësonte familjen e saj. “William dhe unë kemi bërë gjithçka që mundemi për ta përpunuar dhe menaxhuar këtë privatisht për hir të familjes sonë të re. Na ka marrë kohë për t’i shpjeguar gjithçka George, Charlotte dhe Louis në një mënyrë që është e përshtatshme për ta dhe për t’i siguruar ata se do të jem mirë” – tha ajo. Ajo tha se familja tani ka nevojë për “pak kohë, hapësirë dhe privatësi”.
Mbreti dhe mbretëresha ishin informuar për lajmin në lidhje me shëndetin e princeshës përpara njoftimit të së premtes. Vetë mbreti Charles i është nënshtruar vetë trajtimit për kancer. Një zëdhënës i Pallatit të Buckingham tha se Mbreti ishte “krenar për Kate për guximin e saj për të folur ashtu siç foli”.
Catherine dhe Princi William tani nuk pritet të shfaqen me familjen mbretërore të dielën e Pashkëve dhe nuk do të ketë ndonjë kthim të hershëm në detyrat zyrtare për princeshën. Pallati Kensington tha gjithashtu se mungesa e papritur e Princit William nga një shërbim përkujtimor më 27 shkurt ishte për shkak të zbulimit të diagnozës së kancerit të Kate.
Çifti është përballur me spekulime të forta publike dhe një furi në rrjetet sociale për shëndetin e saj, që nga operacioni i saj në janar. Ajo nuk ka marrë pjesë në asnjë ngjarje zyrtare që nga Krishtlindjet. Në deklaratën e saj në video, ajo foli për mbështetjen e familjes së saj: “Të kesh William pranë është gjithashtu një burim i madh ngushëllimi dhe sigurie. Siç është dashuria, mbështetja dhe mirësia që është treguar nga shumë prej jush. Kjo do të thotë shumë për ne të dy.”
Kensington Palace tha se video e princeshës u filmua të mërkurën nga BBC Studios, departamenti i prodhimit të BBC. Në një deklaratë, BBC News tha se: “Së bashku me mediat e tjera, BBC News u informua nga Kensington Palace mbi njoftimin këtë pasdite.” Ka pasur thirrje për privatësi nga pallati pas javësh spekulimesh dhe teorish konspirative për çiftin mbretëror.
Kjo ishte intensifikuar pas tërheqjes nga agjencitë fotografike të një fotografie të princeshës më 10 Mars, për shkak të shqetësimeve për ndryshimet dixhitale, për të cilat më pas princesha kërkoi falje. Kishte gjithashtu teori të mediave sociale mbi pamjet video që tregonin Princin William dhe Catherine duke bërë blerje në Windsor në fillim të kësaj jave. Kryeministri Rishi Sunak tha të premten Catherine kishte treguar “trimëri të jashtëzakonshme” me deklaratën e saj, duke i uruar asaj një “shërim të shpejtë”.
“Në javët e fundit ajo i është nënshtruar një vëzhgimi intensiv dhe është trajtuar në mënyrë të padrejtë nga pjesë të caktuara të mediave në mbarë botën dhe në mediat sociale. Kur bëhet fjalë për çështjet e shëndetit, si gjithë të tjerët, asaj duhet t’i ofrohet privatësia për t’u fokusuar në trajtimin e saj dhe për të qenë me familjen e saj të dashur” – tha kryeministri. ©LAPSI.al