Rasti i rrallë! Italiani del pozitiv me koronavirus, linë e majmunëve dhe HIV
Italia ka regjistruar rastin e parë të një pacienti që është njëkohësisht pozitiv me koronavirus, linë majmunit dhe HIV.
Bëhet fjalë për një 36-vjeçar, i cili nëntë ditë pas kthimit nga pushimet në Spanjë, ka shfaqur temperaturë, dhimbje koke, dhimbje fyti, inflamacion në ijë dhe është ndjerë i lodhur.
CNBC, raporton se ky shtetas ka thënë se gjatë qëndrimit në Spanjë ka kryer marrëdhënie seksuale të pambrojtura me meshkuj. Tre ditë pas fillimit të simptomave, ai u diagnostikua me koronavirus.
Pak orë pas testit pozitiv për Covid 19, italianit iu shfaq skuqje në dorën e majtë. Pas disa ditësh, lija e majmunit u përhap në të gjithë trupin, kështu që ai u shtrua në spitalin e Katanias. Pasi iu nënshtrua analizave të ndryshme, rezultoi pozitiv me linë e majmunit, Covid 19 dhe HIV. Testi negativ i HIV-it që bëri një vit më parë tregon se 36-vjeçari është infektuar me virus vetëm së fundmi.
Pas një jave ai doli nga spitali sepse ishte shëruar nga virusi dhe lija e majmunëve.
“Ky rast tregon se si simptomat e lisë së majmunëve dhe koronavirusit mund të mbivendosen dhe konfirmon se në rastin e bashkëinfeksionit, duhet të ekzaminohen zakonet seksuale të pacientit për të arritur në një diagnozë të saktë”, thonë studiuesit nga Universiteti i Katanias.
Studiuesit paralajmëruan se tamponi i fytit të pacientit ishte ende pozitiv pas 20 ditësh, duke treguar se personi ishte ende ngjitës.
“Duke qenë se ky është rasti i parë i një personi të infektuar me tre viruse, nuk ka prova të mjaftueshme që ky kombinim mund të përkeqësojë gjendjen e pacientit”, thonë ata.
Top Channel