Quentin Tarantino u zotua të mos i jepte të ëmës asnjë qindarkë pasi të bëhej i suksesshëm
Kur ishte fëmijë, Quention Tarantino – regjisor, skenarist, producent, kritik filmash dhe aktor – u zotua që të mos i jepte të ëmës asnjë qindarkë pasi të bëhej i suksesshëm, sepse dyshohet se ajo e ka dekurajuar karrierën e tij.
Në një intervistë në podkastin “The Moment” me Brian Koppelman, Tarantino u shpreh se nisi të shkruante skenarë që në shkollë fillore, por futej në telashe me mësuesit, të cilët e shihnin shkrimin “si një akt rebelimi për të mos u marrë me detyrat e shkollës”.
Regjisori i “Pulp Fiction” mendohet se e shkroi skenarin e parë të quajtur “Captain Peachfuzz and the Anchovy Bandit” kur ishte vetëm 12 vjeç. Gjatë intervistës, ai rrëfeu se kishte probleme me notat në shkollë dhe kishte një marrëdhënie jo të qetë më të ëmën për shkak të mësimeve.
“Po më bërtiste dhe pastaj më tha: ‘Oh, meqë ra fjala, kjo ‘karriera e vogël e shkrimit’, duke bërë thonjëzat me gishtërinjtë. Kjo ‘karriera e vogël e shkrimit’ që po merresh? Ky budallallëk ka marrë fund.”
Tarantino kujtoi, ‘Dhe kur ma tha në mënyrë sarkastike, mendova, ‘Mirë, zonjë. Kur të bëhem një skenarist i suksesshëm, ti nuk do të marrësh asnjë qindarkë nga suksesi im. Nuk do të kesh shtëpi. Nuk do të kesh pushime. Nuk do të ketë Elvis Cadillac për mamin. Nuk do të marrësh asgjë. Sepse ti the këtë gjë.”
Pasi Koppelman e pyeti, “A je i përmbajtur zotimit”, ai tha:
“Po, po. E kam ndihmuar me një bllokim të IRS [shërbimi i të ardhurave të brendshme, institucion përgjegjës për mbledhjen e taksave]. Por jo shtëpi. Asnjë Cadillac, asnjë shtëpi.”
Regjisori tha se nëna e tij është ende gjallë, por shtoi se e ka marrë vendimin për të mos e ndihmuar financiarisht shumë vite më parë sepse “ka pasoja për fjalët që ti përdor me fëmijën, mbani mend që ka pasoja për tonin sarkastik që përdor dhe kuptimin që ka për ta.”
Nëna e tij, Connie, thuhet se ishte 16 vjeçe kur lindi ikonën e filmit në Tennessee. Ata më pas u transferuan në Los Angeles kur Tarantino ishte 4 vjeç.
Sot, Taranino ka fituar çmimet më prestigjioze të kinemasë, nga Oscars, te Bafta, Golden Globes, Palme d’Or e deri te nominimet Emmy dhe Grammy. Ka një yll në Hollywood Walk of Fame për kontributin në industrinë e filmit dhe në vitin 2005, Time e renditi në listën vjetore të njerëzve më me ndikim në botë.
/Anabelmagazine