“Qazim Mulleti u betua se s’do të martohej kurrë”- Historia e ish-prefektit të Tiranës, rrëfimi i nipit: Si e ëma pa leje ia çoi nusen në shtëpi
Nipi i ish-prefektit të Tiranës e quan hakëmarrje të Enver Hoxhës ndaj xhaxhait të tij që e mbajti në Paris kur ai vazhdonte shkollën. Në komedinë e shkruar nga një anëtar i lëvizjes në kohën e luftës, Qazim Mulleti vihet në lojë, duke përfaqësuar një njeri të prapambetur dhe në një nivel të ulët intelektual, aq sa edhe sot shprehja e “O Qazim more Qazim puna jote aferim…”, vazhdon të jetë në kujtesën e shqiptarëve.
Për autorin e libretit të komedisë, familja Mulleti ka mllef, pasi ka qenë pikërisht ish-prefekti që e ka shpëtuar nga vdekja, pasi Besim Lëvonja ishte arrestuar gjatë kohës së luftës. Tanush Mulleti ka treguar për pasojat që patën si pasardhës të Mulletëve, por mbi të gjitha kërkon që shqiptarët ta njohin ashtu siç ishte Qazim Mulleti dhe jo ashtu siç e transformoi komunizmi.
“Babai im e ka pasur vëlla dhe kujdestar Qazimin, pasi ai është kujdesur shumë për të qysh kur i vdiq vëllai. Me largimin e xhaxhait, babai nuk u largua asnjëherë nga vendi. Edhe pse u betua se nuk do të merrej me politikë, kjo nuk e shpëtoi nga internimi e burgosja derisa vdiq në spitalin e burgut të Tiranës.
Nënën e internuan në Kavajë dhe qëndruam deri në ’59-n kur edhe na lejuan të iknim në Shkodër. Na morën të gjithë pasurinë. Edhe një pjesë që na e kishin lënë, e shtetëzuan në kohën që ishim në internim. Mulletët themeluan Tiranën, e megjithatë asnjëherë nuk u vlerësuan për kontributin e tyre edhe tani që jetojmë në kohën e demokracisë. Jo vetëm që nuk u vlerësuan, por i morën të gjithë pasurinë e nuk pati asnjë gjest mirënjohje për kontributin e tyre. Madje i bënë të dukeshin qesharakë dhe pa shkollë, si në rastin e komedisë Prefekti.
Për këtë komedi ka një koiçidencë interesante, pasi Qazim Mulleti e ka shpëtuar nga pushkatimi Besim Levonjën. Besimi në atë kohë ishte i angazhuar në sekretariatin e rinisë së lëvizjes dhe kushurira jonë, vajza e Mytesim Këlliçit ndërhyri që ta lironin e xhaxhai i la të lirë. Janë disa raste kur vihet në lojë prefekti i Tiranës. Ata i janë përshtatur komedisë ‘Revizori’, por nuk duhet të kishin dalë me emër e mbiemër. Kështu ia shpërbleu Tirana prefektit të saj që ka bërë shumë për Tiranën. Shumë objekte, bulevardin, ujësjellësit madje dhe VC-të e nëndheshme si në Paris, Tirana i ka nga xhaxhai im Qazim Mulleti”, shprehet i nipi, Tanushi. A ka treguar reagimin e Qazim Mulletit kur mësoi për komedinë “Prefekti”. Në kohën e shkrimit të libretit, Qazim Mulleti ishte gjallë dhe jetonte në Romë. Ia dërguan dhe u njoh me tekstin e komedisë. Reagimi i tij ishte mjaft interesant. Ai u shpreh: “Më paskan bërë nder pasi më kanë bërë të përjetshëm”, ka treguar Tanush Mulleti.
LARGIMI NGA SHQIPËRIA
Tanush Mulleti ka folur për jetën e ish-prefektit të Tiranës jashtë Shqipërisë, duke hedhur dritë mbi shumë ngjarje të asaj kohe. “Rikthimi i Zogut, Qazim Mulletin e gjeti në krye të 500 burrave në Kavajë. Donte t’i bënte rezistencë. Ishte momenti që u largua vetë Fan Noli gjë që bëri që të mos kishte kurrfarë vlere ajo rezistencë. Pas kësaj, Qazimi përfundoi në Zara të Jugosllavisë. Pikërisht në Zara, Mustafa Kruja përktheu veprën famëkeqe anti-shqiptare të akademikëve serb që i cilësonin shqiptarët ‘Njerëz me Bisht’. Prej Zarës, Qazimi niset për në Vjenë ku aty takon dhe Nolin, i cili kishte shkuar më parë. Por tashmë jemi të njohur me pikëpamjet e Nolit dhe simpatinë e tij për krahun e lindjes. Në këtë mënyrë dhe në këtë linjë që ishte futur Noli, Qazim Mulletit, ashtu si dhe shumë elementëve të tjerë, mes tyre edhe kushëriri i parë i tij, djali i dajës u mundësuan të drejta studimi për në Bashkimin Sovjetik. Por, ndryshe nga shumë të tjerë, ai nuk e pranoi një mundësi të tillë që të shkonte me studime në Moskë për vetë faktin se qysh në atë kohë shqyhej për mendime kryekëput antikomuniste. Pas kësaj, ai është shkëputur nga grupi i Nolit dhe është bashkuar me grupin e Hasan Prishtinës. Edhe këtu ka një moment të veçantë për jetën e Nolit që mendoj se duhet evidentuar. Në Vjenë Noli ka rrojtur Mjekrën. Është koha kur është publikuar fotoja e tij pa mjekër të cilën gjithkush mendoj se e ka parasysh”, shprehet Tanush Mulleti. Ai ka treguar dhe arsyen se pse Noli e bëri këtë veprim. “Sepse justifikimi i tij ishte: I shërbeva Shqipërisë. Ajo s’ka më nevojë për mjekrën time. Grupi i drejtuar nga Hasan Prishtina përbëhej nga Mustafa Kruja, Dom Lazër Shantoja i cili botonte në Zvicër gazetën ‘Ora e Shqipnis’, Luigj Gurakuqi, Dom Frano Karma, Ernest Koliqi, Xhemal Bushati, Azis Çami, F. Koja, Angjelin Suma, Qazim Mulleti, Rexhep Mitrovica, Menduh Angoni, Luigj Shkurti, Sejfi Vllamasi etj.”, ka deklaruar ai.
GRUPI DHE BETIMI
Por çfarë ishte ky grup? “Ky ishte një grup patriotik që ishte vendosur në Vjenë dhe ka marrë një nga vendimet më enciklopedike që mund të ketë marrë dikush ndonjëherë. T’i kushtoheshin çështjes së Shqipërisë, problemet ndërkombëtare dhe të brendshme të së cilës kërkonin një angazhim kolosal. Për këtë arsye ata vendosën gjithashtu që të mos martoheshin. Pra, po ta kuptosh në thelb këtë vendim që për patriotizëm që t’i kushtoheshin çështjes së Shqipërisë duhej të mos krijonin familje fare nënkupton se jeta e tyre më së shumti mund të sakrifikohej kur se prisje ashtu siç edhe ndodhi.
Kur ishin në Vjenë të bashkuar, por edhe kur Qazimi shkoi në Paris, ai grup niste letër pas letre në drejtim të lidhjes së kombeve ku denonconte regjimin e Zogut duke folur me radhë për vrasjet që ai bënte ndaj patriotëve të vendit. Por veç këtyre, ata denonconin në lidhjen e kombeve edhe faktin e shpalljes mbret të Zogut ndryshe nga vendimi i fuqive të mëdha. Pastaj më mbrapa pas vrasjes që ju bë në Selanik Hasan Prishtinës nga Zogu, Qazimi mori drejtimin e shoqërisë. Por tashmë ai nuk jetonte në Vjenë, por në mes të Parisit. Në këtë kohë, Noli me shumë të tjerë përfunduan në Amerikë por gjithsesi, qendra më rezistente kundër Zogut mbeti në Paris.
Por, Qazim Mulleti u martua kur hyri në shoqërinë që po më flisni e cila drejtohej nga Hasan Prishtina”, ka rrëfyer Tanush Mulleti. Por, si mundi ta thyente këtë betim? Për këtë ai tregon historinë e vecantë të ish Prefektit. “Ka një histori të veçantë martesa e Qazim Mulletit, pasi ai është martuar pa dëshirën e tij dhe për një gjë të tillë kanë dhënë bekimin dhe lejen vetë anëtarët e grupit, madje vetë Hasan Prishtina ka qenë krushku i parë. Por, e vërteta është se ata ashtu siç u betuan nuk u martuan. Qazimi, që siç të thashë martesën e tij e bëri fakt të kryer e ëma e tij, ndërsa Ernest Koliqi është martuar shumë vonë, mbrapa vitit 1944 kur nuk funksiononte më grupi në fjalë.
HISTORIA E MARTESËS
Tanush Mulleti ka rrëfyer se si ndodhi martesa e xhaxhait të tij, i cili ishte betuar se nuk do të martohej kurrë.
“Ai ishte burrë dhe patriot i madh. Kjo kuptohet qartë kur vlerësohej shumë nga grupi i famshëm dhe kryesisht nga Hasan Prishtina. Prandaj, edhe pranoi që së bashku me shokët të merrnin atë vendim sublim. Por, në vitin 1929, nëna e tij, Nailja, një grua shumë fisnike dhe autoritare mbi fëmijët dhe gjithë të njohurit për vetë karakterin e fortë që kishte, e bëri martesën e të birit fakt të kryer. Ajo, pa e pyetur fare, e merr nusen që kishte piketuar dhe kërkuar dhe ia çon atij në shtëpi në Vjenë. Hasan Prishtina menjëherë dhe pa as më të voglin hezitim i ka dhënë bekimin dhe është bërë krushku i parë i asaj martese duke mos i dhënë as një mëdyshje Qazimit për të ndryshuar fatin e nisur nga e ëma. Nusja ishte nga Tirana. Quhej Hajrie Kusi. Këtu ka një gjest tjetër patriotik të Qazimit që mendoj se duhet vënë në dukje. Kur i erdhi të shoqes koha me lind çunin megjithëse jetonte në Vjenë e ka dërguar për të lindur në Tiranë me qëllim që fëmija të kishte vendlindjen Tiranë. Kupto dhe vendose në balancë me atë që ndodh sot kur shumë politikanë, diplomatë e biznesmenë që hiqen patriotë të mëdhenj mundohen që fëmijët e tyre të mos kenë vendlindje Tiranën, por Amerikën. Ndërsa me Qazimin ndodhte ndryshe. Ai e dërgoi të shoqen prej Vjene të lindte në Tiranë”, shprehet Tanush Mulleti.
PERSEKUTIMI I FAMILJES
Qazim Mulleti u largua për t’u kthyer sërish dhe la bashkëshorten me djalin në Tiranë. Ata pësuan të gjitha pasojat nga komunizmi. U internuan dhe jetuan mes vështirësive. “Gruaja Hajria vdiq në internim ndërsa djali i tij i vetëm, Reshiti nuk u martua dhe vdiq para ca vitesh, natën që hyri në shtëpinë e vet. Ai bashkë me të ëmën, veç internimin jetuan edhe poshtërimin e Qazim Mulletit. I biri ishte në shkollë kur doli komedia dhe të gjithë ia bënin me gisht si të birin e njeriut të prapambetur kur Qazim Mulleti ka qenë i shkolluar, njohës i 9 gjuhëve të huaja, kontribues për kombin dhe për zhvillimin e Tiranës. Komunizmi e kishte si objektiv vënien në lojë, uljen dhe krijimin e urrejtjes ndaj të pasurve. Xhaxhai im e ka mbajtur me bukë Enver Hoxhën kur ai ishte në Paris. Ai kishte një restorant në vendin e kulturës dhe Enveri ka qëndruar tek xhaxhai im në këtë kohë. Ai e njihte shumë mirë kush ishte Enver Hoxha dhe kjo nuk i pëlqente diktatorit. Kështu gjeti mënyrën për ta ulur e për ta diskretituar duke përdorur një vegël të tij si Besim Lëvonja që shkroi libretin fyes. Qazim Mulleti shiti pasurinë e tij në Paris e në Vjenë, duke u kthyer në Shqipëri. Erdhi me qëllimin për të bërë Shqipërinë, por pikërisht kjo i hëngri kokën. Meritat e tij janë të shumta dhe nëse ia mohojmë do të jemi gjithmonë të mallkuar”, shprehet Tanush Mulleti.