Putini ka zhvendosur familjen e tij në një bunker luksoz në Siberi, i krijuar për t’i mbijetuar një lufte bërthamore
Vladimir Putin ditët e fundit ka fshehur anëtarët e familjes së tij në një ‘qytet nëntokësor’ në Siberi, sipas një profesori rus. Bunkeri luksoz i teknologjisë së lartë ndodhet në malet Altai dhe është projektuar për mbrojtje në rast lufte bërthamore , tha shkencëtari, Valery Solovey, 61 vjeç.
Dikur profesor në Institutin Shtetëror të Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Moskë, Solovey ka pretenduar më parë se Putin vuante probleme mjekësore të fshehura nga publiku rus dhe ka marrë pjesë në rituale të çuditshme sekrete së bashku me ministrin e tij të mbrojtjes Sergey Shoigu.
Disa në Moskë e hedhin poshtë Solovey-n si një teoricien konspirativ ose mashtrues, por vetëm javën e kaluar ai u mor në pyetje për shtatë orë nga autoritetet ruse për shkak të pretendimeve që ai bëri për gjendjen mjekësore dhe mendore të Putinit.
Shtëpia e tij u kontrollua gjithashtu dhe u sekuestruan disa sende elektronike. Solovey u lirua më pas, por çështja nuk është mbyllur.
Pretendimi vjen ndërsa Rusia godet Kievin dhe Kharkivin me sulme raketore, duke çuar në akuza se Putini po kryen krime lufte mbi civilët e pafuqishëm.
“Në fundjavë, familja e Presidentit Putin u evakuua në një bunker special të përgatitur në rast lufte bërthamore”, tha profesori në një video. “Ky bunker ndodhet në Republikën malore të Altait. Në fakt, nuk është një bunker, por një qytet i tërë nëntokësor, i pajisur me shkencën dhe teknologjinë më të fundit”, tha ai.
Solovey, i cili pretendon se ka kontakte të brendshme në Kremlin, besohet se i referohet një shtëpie të madhe të ndërtuar gjoja nga gjiganti i energjisë Gazprom rreth një dekadë më parë në rrethin Ongudaysky të Republikës Altai, një rajon i Siberisë në kufi me Mongolinë, Kinën dhe Kazakistani.
Solovey nuk i identifikoi anëtarët e familjes së Putinit që supozohet se janë dërguar në bunker, por më parë ka pretenduar se gjimnastja Alina Kabaeva, është bashkëshortja sekrete e liderit rus.
“Kjo është familja e tij e vërtetë dhe Alina është e aftë të ndikojë në vendimet e tij”, tha ai vitin e kaluar.
Putin ka dy vajza të rritura Maria Vorontsova, 36 vjeç dhe Katerina Tikhonova, 35 vjeçe . Ai raportohet gjithashtu se ka një vajzë të quajtur Luiza Rozova 18vjeçe, e njohur gjithashtu si Elizaveta Krivonogikh, nga një marrëdhënie e mëparshme me pastruesen e kthyer në multimilionere Svetlana Krivonogikh.