Putin e shpall Shqipërinë vend jomiqësor, merr masat e para kundër nesh
Qeveria e Federatës Ruse ka miratuar të hënën një listë të shteteve dhe territoreve të huaja që kryejnë veprime jomiqësore kundër Rusisë, kompanive dhe qytetarëve të saj sipas agjencisë TASS.
Lista e vendeve të konsideruara armiqësore përfshin Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, shtetet e BE-së, Mbretërinë e Bashkuar (përfshirë Jersey, Anguilla, Ishujt e Virgjër Britanikë, Gjibraltar),
Ukrainën, Malin e Zi, Zvicrën, Andorrën, Islandën, Lihtenshtajnin, Monakon, Norvegjinë, San Marino, Maqedoninë e Veriut, dhe gjithashtu Japoninë, Korenë e Jugut, Australinë, Mikronezinë, Zelandën e Re, Singaporin dhe Tajvanin.
Sipas “TASS”, vendet dhe territoret e përmendura në listë vendosën ose iu bashkuan sanksioneve kundër Rusisë pas fillimit të “një operacioni special ushtarak të Forcave të A rmatosura Ruse në Ukrainë”.
Madje, Rusia ka vendosur që të marrë masa kundër këtyre shteteve. Qeveria vuri në dukje se sipas këtij dekreti, qytetarët dhe kompanitë ruse, vetë shteti, rajonet dhe bashkitë e tij që kanë detyrime valutore ndaj kreditorëve të huaj nga lista e vendeve jomiqësore do të jenë në gjendje t’i paguajnë ato në rubla.
Procedura e re e përkohshme zbatohet për pagesat që kalojnë 10 milionë rubla në muaj (ose një shumë të ngjashme në valutë të huaj). Kjo është një kundërpërgjigje që Rusia bën ndaj shteteve të mësipërme duke bërë që borxhet t’ua paguajë në Rubla dhe jo dollar apo euro.