“Pusho tani zemër, e ke merituar”: Van Damme humb ndeshjen e fundit të jetës, atë me leuçeminë
Bota e futbollit është në zi për vdekjen e Miguel Van Damme, portierit 28-vjeçar të Cercle Bruges, i cili është dorëzuar pas një beteje të gjatë kundër leucemisë, e cila filloi në vitin 2016. Lajmin e ka dhënë e dashura e tij, Kyana Dobbelaere, me një postim të gjatë në Instagram që ka marrë mesazhet e ngushëllimit nga shumë fansa dhe yje të sportit belg, nga Stoffel Vandoorne e deri te Thibaut Courtois.
“Dashuria jonë, babi ynë i madh, u nis për ndeshjen e tij të fundit sonte, një ndeshje që nuk mund të fitohet më – ka shkruar Kyana së bashku me një foto në të cilën ajo dhe vajza e saj, vetëm 10 muajshe, shtrëngojnë duart e Miguel – Na le shumë ngadalë, megjithatë e bëre përsëri në mënyrën tënde, shumë të fortë. Luftove si luan. Ne jemi shumë mirënjohës për atë që ishe: një shembull për shumë njerëz. Më bëre të kuptoj se nuk ka asgjë për t’u dorëzuar, edhe pse kishte vetëm një fije shprese, që ti e arrije pa reshtur. Pusho tani zemër, e ke merituar, tani je i lirë nga çdo dhimbje. Një përqafim i madh nga vajzat e tua”.
Van Damme u diagnostikua me leuçemi në vitin 2016, para fillimit të sezonit sportiv, por ai arriti të qëndrojë në skuadër, duke u alternuar mes fushës dhe pankinës, deri në janar 2020, kur pas një rikthimi të sëmundjes, mjekët i dhanë pak shpresë për shërim.