Pushime makthi në Egjipt, blogerja tregon përvojën e frikshme në destinacionin historik
Historia e Egjiptit, kultura dhe pamjet magjepsëse e kanë bërë vendin e lashtë një nga destinacionet më të famshme të udhëtimit.
Egjipti tërheq turistë nga e gjithë bota, por jo të gjithë mbeten të kënaqur. Blogerja e udhëtimeve Grace Cheng është një prej tyre.
Pak ditë më parë, ajo publikoi një video ku shpjegonte pse udhëtimi i saj në Egjipt u bë paksa zhgënjyes. Turistja, që ka qenë në 36 vende të botës, tregoi si iu shkatërrua udhëtimi në Egjipt.
Cheng flet për mashtrues dhe njerëz që duan të të zhvasin para kudo:
“U ndjeva shumë në siklet gjatë vizitës në Egjipt dhe do t’ju tregoj pse. Mos lejoni që dikush t’ju fotografojë, mos lejoni që dikush të vendosë asgjë në duart tuaja. Dhe mos ndiqni askënd nëse ka diçka për t’ju treguar, sepse do të kërkojë para nga ju. Ata të ofrojnë gjëra si për shembull ngjitja e këtij shkëmbi për të bërë një foto. Nëse refuzoni të paguani, mund të bëhet paksa e frikshme për ju”.
Bazuar në përvojën e saj, ajo nuk sugjeron që një turist, sidomos një vajzë, të vijë vetëm në Egjipt.
“Përfundimisht, nuk do të rekomandoja të vini vetëm në Egjipt, veçanërisht nëse jeni grua. Të qëndroja këtu, më bënte të ndihesha pa rehat çdo ditë. Meshkujt të ngulin sytë, është një nga ato shikimet vërtet të pakëndshme ku ata nuk do t’i heqin kurrë sytë nga ju”.
Blogerja shton se ndihej e pasigurt.
“Kisha gjithashtu shumë frikë se mos humbisja valixhet tona. Ne kishim shoferë privatë kudo që shkonim, por sa herë që na linin në një vend dhe i linim çantat në furgon, isha e sigurt se nuk do t’i shihja më kurrë. Kjo ishte përvoja ime në Egjipt dhe megjithëse vendi është i bukur, njerëzit dhe mjedisi nuk më bënë të ndihem aspak rehat”.
Në fakt, nuk janë të paktë turistët që kanë folur për përvoja të pakëndshme në Egjipt. Disa blogerë udhëtimesh kanë folur për mashtrime. Sidomos në piramida. Një prej tyre, Nick Hilden, është shprehur se “ju jeni vazhdimisht i sulmuar nga shitës armiqësorë, e mashtrues”. Atij i bëri përshtypje se si turistët ishin të lirë të bënin ç’të donin. Për shembull “do të hasni shpesh mure guri në të cilët dhjetëra njerëz kanë gdhendur inicialet e tyre dhe mesazhe të tjera, madje edhe në relieve dhe gravurë hieroglifësh”.
Megjithatë, Egjipti mbetet një destinacion i rëndësishëm turistik. Vendi ka mirëpritur shtatë milionë turistë në gjysmën e parë të këtij viti.Turizmi është një pjesë jetike e ekonomisë egjiptiane. Ai përbën rreth 12 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit dhe është ndër burimet kryesore të valutës së huaj për kombin më të populluar të botës arabe. Madje, vendi ka synime të mëdha. Egjipti parashikon të tërheqë rreth 30 milionë turistë deri në vitin 2028.
Ora News