Punëtorët e huaj e shohin Shqipërinë si trampolinë drejt Perëndimit
Vali Qyrfyçi
Në javën e fundit të gushtit, ndërsa sezoni turistik po mbyllte siparin, dy gra të reja nga Nepali, Lulu dhe Tutu, mbërritën në Durrës për të filluar punë si sanitare në një hotel në zonën e plazhit të njohur si Shkëmbi i Kavajës. Por pa mbushur vitin në punë dhe pa njoftuar kolegët dhe punëdhënësin, ato braktisën gjithçka dhe u zhdukën pa zhurmë.
“Dy muajt e fundit ato rrinin më shumë në telefon dhe duket se po mbanin më shumë para për vete nga rroga mujore,” kujtoi Ismet Kryeziu, pronari i hotelit ku nepalezet punonin.
“Punonin pa fjalë dhe nuk patën asnjëherë pretendime, apo kërkesa që të tregonin se ishin të pakënaqura”, shtoi ai.
Lulu dhe Tutu, 25 dhe 37 vjeçe, u largua natën nga hoteli, duke lënë pas kontratat e punës dhe pasaportat që mbaheshin nga administratori. Kryeziu njoftoi policinë, e cila është vënë pa sukses në kërkim të tyre.
Bizneset shqiptare që punësojnë punëtorë të huaj nga vende në zhvillimin, të ardhura të ulëta për frymë dhe mundësi të kufizuara për të emigruar në Evropë i kanë bërë rutinë denoncimet të ngjashme në polici.
“E përdorin Shqipërinë si trampolinë, për të ikur në Evropë,” tha një nga kamarierët shqiptarë në restorantin e hotelit të Kryeziut, i cili shtoi së ka dëgjuar edhë për raste të tjera, përtej Lulusë dhe Tutusë.
Mbajtja e peng e dokumenteve të punonjësve emigrantë është një praktikë kontroverse – e njohur në vende të Lindjes së Mesme me fluks emigrantësh nga Azia, qëllimi i të cilës është të pengojë largimet nga puna. Kjo praktikë është kritikuar si shkelje e të drejtave themelore të njeriut.
Sjellja në Shqipëri e një punonjësi të huaj për punëdhënësit shqiptarë është një sipërmarrje e kushtueshme, me kosto që variojnë nga 600 euro deri në 800 euro. Përveç udhëtimit sipërmarrësit duhet t’u garantojnë punëtorëve të huaj ushqim dhe akomodim falas, ndërsa rrezikojnë të mbeten sërish pa staf nëse këta të fundit largohen përpara përbushjes së kontratës.
Largimi i dy sanitareve nga Nepali por edhe raste të tjera të regjistruara më parë, kryesisht me punonjës nga Bangladeshi, e kanë rritur pasigurinë e punëdhënësve për marrjen e punëtorëve të huaj nga vendet e Azisë dhe Afrikës; megjithatë, kërkesë e lartë për fuqi punëtore në disa sektorë të ekonomisë nuk e ka ndaluar punësimin e tyre.
Fasoneri dhe fjetore
Statistikat nga Drejtoria Vendore e Kufirit dhe Migracionit në Durrës, tregojnë se fluksi i punonjësve të huaj është një trend në rritje. Vetëm vitin e kaluar 860 të huaj aplikuan për leje qëndrimi për punë në këtë drejtori. Pak më pak se gjysma e tyre vinin nga Azia Jugore dhe Afrika, nga vende si Nepali, Bangladeshi, Sri Lanka, Filipinet dhe Egjipti. Pjesa tjetër janë kryesisht të vetëpunësuar nga Italia fqinje dhe vende të tjera të Evropës, që kryesisht vijnë për punë të kualifikuara.
Në vitin 2023 numri i punonjësve nga Azia dhe Afrika është sërisht në rritje. Vetëm në 3 muajt e parë të vitit nga 312 leje të dhëna nga policia e Durrësit, 205 ishin për punëtorë nga Azia Jugore dhe Egjipti.
Edhe Drejtoria Rajonale e Agjencisë Kombëtare të Punësimit dhe Aftësive në Durrës shprehet se kërkesat janë në rritje dhe se vetëm në muajin janar të këtij viti u dhanë 406 leje pune, përfshi ato me aplikim direkt në e-albania.
Megjithatë trendit në rritje të ardhjes së punonjësve të huaj, fluksi mund të mos jetë i mjaftueshm për të mbushur vendet e lëna bosh nga emigrimi apo refuzimi i punëmarrësve vendas për të punuar në punë të paguara keq.
Edvin Prençe, kryetar i ProEksport Albania tha për BIRN se vetëm sektori fason ka nevojë për mbi 20 mijë punonjës.
“Aktualisht janë rreth 250 persona të huaj të punësuar vetëm këtë vit, 90% e të cilëve janë nga Nepali dhe pjesa tjetër nga Filipinet, por në muajt në vazhdim do të ketë një fluks akoma më të madh”, tha ai.
Sipas Prençes, për punësimin e tyre po përdoren kanalet zyrtare.
“Kushtet aspak të mira të punës në vendet e origjinës, i bën sipërmarrësit në Shqipëri të jenë pozitivë, mjaft të hapur dhe optimist ndaj këtyre punësimeve”, tha ai.
Prençe shpjegoi se fasonët kërkojnë kryesisht të punësojnë gra, mjaft prej të cilave kanë lënë fëmijë në vendin e origjinës dhe kanë nevojë për mbështetje financiare. Ai po ashtu shtoi se punëmarrëset gra kanë një risk më të ulët ta braktisin vendin e punës.
Donato Sabato, një biznesmen italian, që ka një fabrikë fasone në Durrës tha se është shumë i kënaqur me punëtorët e huaj që ka marrë në punë. Në janar ai mori grupin e parë të punëtorëve, burra dhe gra nga Nepali.
Donato u mundëson akomodimin dhe ngrënien e vakteve në mensën e fabrikës. Biznesmeni që jeton në Shqipëri që nga viti 2004 shprehet se nepalezët paguhen njësoj si punëtorët nga Shqipëria, por nga ana tjetër ndryshe nga shqiptarët ata nuk mungojnë në punë dhe nuk debatojnë.
“Kanë një gjë më të mirë këta se nuk mungojnë asnjëherë,” tha italiani. “Janë të pafjalë dhe përmirësohen çdo ditë në cilësinë e punë”, shtoi ai.
Sabato, fabrika e të cilit prodhon këpucë, tha se ka nevojë edhe për 100 punonjës të tjerë nga jashtë, pasi nuk po rekruton dot punëtorë shqiptarë. Ai fajëson liberalizimi të vizave për mungesën e punëtorëve vendas.
“Njerëzit po ikin nga vendi çdo ditë”, tha Donato.
Një nga të punonjëset e huaja që punon për Donaton, një vajzë nga Nepali që identifikohet si Kornia, punon prej janarit në fabrikën e këpucëve. Ajo nuk e njihte më herët Shqipërinë dhe as tani nuk ka pasur rast të dalë prej fjetores dhe ta vizitojë vendin.
“M’u desh më parë të kuptoj se ku ndodhej ky vend por më pëlqen këtu, edhe pse s’kemi dalë ende,” tha ajo, ndërsa shtoi se klima është e butë. “Puna është e mirë dhe kushtet gjithashtu”, shtoi Kornia.
Ajo tregon se rrogën e transferon të gjithën në vendlindje, ku ka prindërit dhe vëllain.
“Unë punoja në Nepal, por nuk isha e kënaqur me punën dhe pagën e vogël atje”, shpjegoi ajo.
Një tjetër punonjës i kompanisë që flet një anglishte më të mirë tha se ishte rastësia që i solli në Shqipëri.
Edhe pse qarku i Durrësit, ashtu si Tirana konsiderohet zyrtarisht me nivel të ulët emigrimi, në realitet numri i të rinjve dhe familjeve që kanë ikur e ikin nga vendi nuk është i pakët.
Sipas agjentëve të punësimit kërkesat më të mëdha për punëtorë janë nga fasoneritë, për arsye të emigrimit të popullsisë, por nuk mbeten pas dhe hoteleria e bujqësia që po ashtu ka kërkesa.
Operatorët turistik dyshues
Ndërsa në fasoneri, krahu i huaj i punës, edhe pse kushton për ta sjellë deri këtu, shihet si zgjidhje jo vetëm afatshkurtër e krizës për punëtorë, në sektorin e turizmit ka më shumë skepticizëm.
Elidon Habilaj, agjent punësimi, shprehet se që nga janari në vendin tonë kanë hyrë shumë të huaj për motive pune. Ai thotë se numri i shtetasve nga Nepali përmes agjencive të ndryshme të punësimit që operojnë në vend pritet që shumë shpejt të arrijë në 3 mijë.
Lidhur me rastet e largimit të punëtorëve të huaj Habilaj shprehet se nuk ka vend për t’u alarmuar, por thjesht duhet të kuptohen shkaqet e ikjes. Shpesh, sipas tij shkaktar është punëdhënësi.
“Kryesisht, mosrespektimi i kontratës së punës, mospagesa në kohën dhe masën e duhur, shfrytëzimi në punë, mbingarkesa, apo dhe ngacmimet seksuale mund të çojnë në largimin e punëtorëve të huaj nga vendi i punës”, tha ai.
Habilaj thotë se kur punësimi bëhet përmes agjentëve të punësimit, këta synojnë që të bëjnë ndërmjetësin në vazhdimësi mes palëve të lidhura me kontratë për çdo pakënaqësi që kanë, qoftë punëmarrësit, qoftë punëdhënësit.
Por shumë biznesmenë që e ushtrojnë veprimtarinë e tyre në sektorin e turizmit shprehen dyshues. Ndonëse në prag të sezonit turistik, kur krahu i punës nevojitet më shumë se kurrë, rastet e largimeve nga puna, po dhe problemet me gjuhën e bëjnë më të vështirë punësimin masiv të shtetasve të huaj në hoteleri dhe restorante.
Sokol Hoxha, sipërmarrës i njohur në sektorin e turizmit dhe përfaqësues i shoqatës shqiptare të Turizmit tha për BIRN se fuqia punëtorë mbetet problem dhe ai vetë heziton të shohë si alternativë punësimin e të huajve.
“Sektori ynë kërkon persona të specializuar, ndaj duhet kujdes,” tha ai, ndërsa shtoi se “shërbimi duhet të jetë në standardet e kërkuara.”
“Ne e kemi provuar vetë 7-8 vjet më parë me të rinj të kualifikuar për ndihmës kuzhinierë, recepsion e kamarierë nga Serbia, po mbetëm të zhgënjyer”, shtoi Hoxha.
Ai tha se në sektor kërkohet përgjegjshmëri dhe kualifikim dhe se u besonte më shumë punonjësve vendas.
“Do të mundohemi t’i mbulojmë nevojat për punonjës me vendas,” tha Hoxha.
“Kjo është përvojë e jona, pasi ka të tjerë që janë raste suksesi në punësimin e të huajve dhe nuk ka vend për paragjykim”, tha ai.
Gjithsesi punëtorët e huaj në sektorin e shërbimit dhe atë të turizmit nuk mungojnë. Prania e tyre po shtohet çdo ditë ndjeshëm.
Vajza e gra nga Nepali dhe Filipinet i has teksa të shërbejnë në restorantet e shëtitores bregdetare të Durrësit.
“Fuqia punëtore është problem i madh në turizëm e për pasojë vijnë dhe problemet e tjera,” tha Blerim Norja, menaxher hoteli në plazhin e Durrësit, një zonë bregdetare ku shumica e hoteleve kanë marrë punëtorë të huaj. “Është një mundësi për të zgjidhur problemin,” theksoi ai, ndërsa shtoi se edhe sipërmarrja që ai drejton po e vlerëson marrjen e puonjësve të huaj./BIRN