Pse të famshmit po realizojnë ndërhyrje estetike në fytyrë gjatë pandemisë? Përgjigjet mjeku i njohur
Një nga eskpertët e kirurgjisë plastike në Amerikë ka shpjeguar pse yjet e Hollywood-it po zgjedhin këtë periudhë për të realizuar ndërhyrje në fytyrë. Në një intervistë për “Daily Mail”, Dr. Paul Nassif u shpreh se javët e fundit është rritur ndjeshëm kërkesa për korrigjime estetike.
Sipas tij, pandemia është periudhë ideale për aq kohë sa qendrimi më gjatë në shtëpi, krijon kushtet ideale kohore për t’u “shëruar” nga shenjat e ndërhyrjes. Por, jo vetëm kaq! “Nëse një pacient bën botoks, askush nuk do ta kuptojë pasi të gjithë po mbajnë maska mbrojtëse në kohë si këto”, ka theksuar Nassif. Ai ka shtuar se përdorimi i Zoom si mënyrë komunikimi, në fakt, i ka shtyrë njerëzit edhe më shumë drejt kujdesit ndaj fytyrës.
Nassif ka thënë se përdorimi i maskave po sjell probleme tek disa lloje lëkure, pasi po vërehet shfaqja e akneve. “Shumë pacientë po kërkojnë trajtime intensive të përkujdesjes së lëkurës. Maska shkakton irritim tek zona përreth fytyrës, pas mbajtjes për një kohë të gjatë. Trajtimet janë kthyer në kërkesë primare kohët e fundit”, ka shpjeguar mjeku. Klinika e Nassif ndodhet në Beverly Hills, duke u shndërruar në zgjedhjen e shumë yjeve të njohur. /News31.al