Pse po zhvillohet një ‘betejë’ mes Scarlett Johansson dhe OpenAI?
Scarlett Johansson ka refuzuar një ofertë nga OpenAI, drejtuesi i së cilës i ka kërkuar aktores të japë të drejtat e zërit të saj për përdorim në sistemin e inteligjencës artificiale “Sky”, i cili tashmë është nxjerrë në treg.
Në një deklaratë për Page Six, Scarlett Johansson ka treguar se i është kërkuar ky bashkëpunim nga Sam Altman në shtator të 2023-shit.
“Ai më tha se i dukej sikur zëri im është i përshatshëm për këtë sistem. Sipas tij, tingulli do krijonte një urë mes kreativitetit dhe kompanisë së teknologjisë, sepse do i bënte përdoruesit të ndihen më rehat, duke e bërë më të lehtë tranzicionin drejt inteligjencës artificiale. Ai tha se zëri im është qetësues për t’u dëgjuar”, shpjegoi aktorja.
Më tej, ajo rrefen se pas shumë diskutimesh dhe për arsye personale, vendosi ta refuzojë ofertën që iu bë.
Por kur OpenAI bëri një prezantim të sistemit të ri javën që shkoi, miq, të afërm dhe fansa të aktores vunë re se zëri i përdorur ishte shumë i ngjashëm me të sajin, aq sa, shumë prej tyre nuk mund të dallonin ndryshimin. Sipas atyre që e dëgjuan, zëri i sistemit “Sky” është shumë i ngjashëm me zërin e Scarlett Johansson në filmin “Her”.
“Kur dëgjova demo-n, u shokova, u inatosa dhe nuk më besohej që Z. Altman vendosi të zgjedhë një zë kaq shumë të ngjashëm me timin, saqë as njerëzit që më njohin më mirë nuk e dalluan ndryshimin. Ai më tha se ngjashmëria nuk ishte e qëllimshme”, sqaron më tej aktorja e njohur.
Sipas Johansson, Altman i ka kërkuar ta rikonsiderojë ofertën, por pa marrë ende një përgjigje, ka publikuar demo-n paraprake të sistemit.
Aktorja pranon se mori menjëherë masa ligjore, duke i dërguar drejtuesit të OpenAI, me ekipin e saj, dy letra ku kërkohet me detaje shpjegimi i procesit para se të ndërmerren masa ligjore.
Pas letrave, Altman ka hequr nga qarkullimi sistemin “Sky”. Ndërkohë çështja është ende në hetim.
Anabelmagazine