Profil/ Pretendon se është koleksionist, Artan Koçiut iu gjetën në banesë 4 mijë vepra arti. Është arrestuar edhe para 9 vitesh bashkë me Gjergji Thimon
Artan Koçiu, 61 vjeç u arrestua sot nga policia e Tiranës, pasi në banesën e tij u gjetën mbi 4 mijë vepra arti. Ai akuzohet për veprat penale “Vjedhje e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
Në dëshminë e tij pas ndalimit dhe shoqërimit, në komisariat, Koçiu përpara OPGJ-ve ka deklaruar se është restaurues i veprave të artit. Më tej ai ka shtuar se veprat e artit nuk i ka vjedhur por është koleksionues i tyre dhe i ka blerë ato.
Edhe më herët ai ka qenë i arrestuar për të njëjtën vepër penale. Në vitin 2013 ai do të arrestohej për përvetësim të veprave të trashëgimisë kulturore.
Koçiu është arrestuar në kuadër të operacionit të koduar “Ikona” së bashku me dy persona të tjerë, Gjergji Thimon dhe Arben Spahon.
Në atë kohë, Gjegji Thimo dhe personat e tjerë të arrestuar përfshirë edhe Koçiun hodhën poshtë akuzat, duke theksuar se veprat e artit të sekuestruara nga policia janë koleksion i mbledhur prej vitesh madje edhe me leje të Ministrisë së Kulturës.
Operacioni qe e çoi sot ne pranga
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune të mirëfilltë hetimore disajavore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cultural Heritage”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:
A. K., 61 vjeç, banues në rrugën “Ali Demi”, për veprat penale “Vjedhja e veprave të artit e kulturës”, dhe “Trafikimi i veprave të artit dhe kulturës”.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një apartament në pronësi të këtij shtetasi, në rrugën “Shyqyri Brati”, kanë gjetur rreth 4.000 sende të dyshuara si pasuri kulturore të luajtshme.
Në bashkëpunim me specialistët dhe ekspertët e Institucioneve të Specializuara në Ministrinë e Kulturës vijon puna për inventarizimin e këtyre objekteve dhe dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Arrestimi i Koçiut para 9 vitesh
Policia e Shtetit deklaroi ne ate kohe se arrestimi i Artan Koçiut, ne ate kohe 52 vjeç banues në Tiranë është bere në vijim të operacionit IKONA të kryer nga strukturat e luftës kundër trafiqeve të paligjshme
“Arrestimi në flagrance u krye pasi nga kontrolli në objektin në pronësi të tij tip “Mobilieri”, iu gjetën e sekuestruan me cilësinë e provës materiale 70 objekte materiale druri, pjesë të ikonostaseve dhe objekte të tjera religjioze, të vjedhura në kishat e rrethit Korçë dhe objekte fetare të dyshuara të vjedhura në shtetin e Maqedonisë.”