Profesori i gazetarisë Lutfi Dervishi: “Moti këtu është kthyer në një spektakël, merrni celularin dhe shikoni”
Pedagogu i njohur i gazetarisë Lutfi Dervishi ka renditur problematikat në median shqiptare. Në një shkrim të postuar në rrjetin social, fokusin kryesor, Dervishi e ka në mënyrën se si televizoni po i transformon situatat. Duke e nisur që nga parashikimi i motit edhe duke e mbyllur me programet politike.
“Nëse shihni parashikimin e motit në një televizion perëndimor apo edhe lindor dhe bëni krahasimin me parashikimin e motit të disa televizioneve këtu, duket se po flitet për dy tema krejt të ndryshme. Këtu në prezantimin e motit mbizotëron jo informacioni për çfarë po ndodh dhe çfarë do të ndodhë, këtu mbizotëron spektakli!
Më shumë se informacioni për motin, që të ndash mendjen se çfarë veshje të duhet për ditën, që të marrësh apo jo çadër me vete, dhënia e motit këtu i ngjan një mini pasarelë, ku një fëmijë, (po të ishim anëtar të BE-së do të dënoheshim për shkelje të direktivës europiane për punësimin e të miturve), flet për presionin atmosferik në të cilën ndodhet në vendi ynë, rajoni dhe më gjerë.
Nëse sheh motin në çfarëdo televizioni perëndimor, gjëja e parë që të bie në mendje është mosha e prezantuesit, pastaj veshja serioze që nuk ka shans të shpërqëndrojë dhe në fund, por jo nga rëndësia është gjuha e thjeshtë dhe e qartë për motin sot dhe parashikimin për nesër. Nuk dihet me siguri se kush ka patur idenë gjeniale që moti këtu duhet të kthehet në një spektakël në fund të të cilit gjëja e parë që të shkon në mendje është të marrësh celularin dhe të shikosh vetë nëse kur të dalësh jashtë do të presin “vranësira të ç’rregullta” apo mot me kthjellime!
Rendja për shikueshve dhe përdorueseve ka sjellë në bjerrjen e cilësisë së produktit mediatik. Sa kohë që “pëlqehet”, apo “shikohet shumë” aq më shumë shkohet drejt banalitetit dhe mediokritetit. Ngjarjet e rënda për vetë natyrën e tyre e kanë të garantuar interesin publik – ajo çka lipset është profesionalizimi dhe etika. Shembuj të mirë ka kudo. Mund të merren mësime të vlefshme nga vende me demokraci të konsoliduar dhe traditë në shtypin e lirë. Sikundër mund të vijohet me spektaklin e “kronikës së zezë” ku nuk e merr vesh i pari të dytin dhe titujt e mëdhenj dhe alarmues të një dite zhduken sikur të mos kenë ekzistuar kurrë ditën pas ardhëse.
Nëse sheh një spektakël atje dhe bën krahasimin me spektaklet këtu- dallimi është tek dita dhe ora e transmetimit që vendosen në shërbim të publikut. Si rregull i gjen në fundjavë dhe në orare të përshtatshme për publikun. Këtu spektaklet mezi gjejnë vend gjatë ditëve të javës sepse gjithçka është kthyer në spektakël.
Në një vend ku çdo gjë është spektakël, nuk ka vend për spektaklin!