
Procesi/ Si duhet të veproni para fletës së votimit në 11 maj: Ja kur quhet vota e pavlefshme
Fleta e votimit që do t’u paraqitet qytetarëve të Tiranës më 11 maj do të jetë e një madhësie të pazakontë, duke qenë se në të listohen 11 subjekte politike, secila me kandidatët e vetë të listës së hapur.
Kjo fletë ka përmasat 30 cm gjatësi me 60 cm gjerësi, ndërsa nuk mungojnë shqetësimet se formati i madh i saj do të mund të krijojë probleme për disa votues.
Gazetari i News24, Ergys Gjençaj ka raportuar nga ambientet e KQZ, duke shpjeguar procesin e votimit që duhet të ndjekin qytetarët për të shprehur vullnetin e tyre në mënyrë që vota të jetë e vlefshme.
Në rreshtin e parë ku renditen 11 subjektet zgjedhore në garë, zgjedhësit duhet të votojnë në kutinë përbri duke vendosur një kryq (X) ose një plus (+).
Më tej, poshtë secilit subjekt listohen kandidatët përkatës të listës së hapur, ku votuesit mund të zgjedhin sërish një prej emrave duke votuar në të njëjtën mënyrë si për subjektin, pra duke vendosur një kryq (X) ose një plus (+).
tpz.al