“Prindërit spërkatën magazinën me helm minjsh”, detaje nga tragjedia në Shkodër

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë që u raportua këtë të hënë në fshatin Mjedë të Shkodrës ku dy fëmijë u helmuan, dhe si pasojë njëri humbi jetën dhe tjetri ndodhet në gjendje të rëndë.

Bëhet me dije se dy të miturit motër dhe vëlla u intoksikuan nga helmi i minjve. Mësohet se prindërit kishin kryer spërkatjen e një magazine me këtë substancë toksike, ndërsa kishin me vete edhe fëmijët. Mendohet se ata mund të kenë thithur ose kanë pasur kontakt me helmin, duke shkaktuar simptoma të rënda që çuan në pasoja fatale.

Dy të miturit pasi shfaqën simptoma shëndetësore u transportuan në Spitalit Rajonal të Shkodrës, për ndihmë mjekësore por fatkeqësisht 3-vjeçari nuk ja ka dalë të mbijetojë, ndërsa motra e tij ndodhet në gjendje të rëndë.

Sakaq vetë spitali i Shkodrës në një reagim zyrtar ka deklaruar se mjekët kanë ndjekur të gjitha protokollet mjekësore. Spitali bën të ditur se mjekët i kanë kërkuar familjarëve që fëmija të qëndronte në observacion për mbikëqyrje të mëtejshme. Por prindërit kanë firmosur dhe kanë zgjedhur ta marrin në shtëpi të miturin.

Një ditë më pas, gjendja e 3-vjeçarit është përkeqësuar ndjeshëm, dhe familjarët e kanë sjellë sërish në spital në gjendje shumë të rëndë. Ai është dërguar menjëherë në reanimacion, por fatkeqësisht nuk ka mundur të mbijetojë. Ndërkohë, motra e tij, që po përjetonte simptoma të ngjashme ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore në pediatrinë e Tiranës.

lapsi.al