
“Pretty Woman 2?” Richard Gere ka një kusht
Një vajzë nga rruga që hyn në jetën e një të pasuri dhe i vjedh zemrën? Historia e “Pretty Woman” mund të vijojë, por me një kusht.
Richard Gere ka zbuluar për “People” se ka një mënyrë të vetme sesi filmi mund të realizojë një pjesë të dytë.
“E gjitha varet nëse ka apo jo një skenar të mirë”, tha 75-vjeçari.
Filmi me regji të Garry Marshall i cili ndërroi jetë në vitin 2018 në moshën 81-vjeçare, rrëfen historinë e biznesmenit Edward Lewis dhe punonjëses së seksit, Vivian Ward. Ai njihet me të gjatë një udhëtimi pune në Los Anxheles dhe e merr në dhomën e tij të hotelit për një natë që kthehet në një javë, pa e menduar se do të dashurohej marrëzisht pas saj.
Në dhjetor të vitit që lamë pas, Gere tha për Hollywood Reporter:
“Jam shumë krenar për atë film dhe krenar për procesin e punës që bëmë për ta krijuar. Dhe jam jo vetëm krenar, por mirënjohës për atë film sepse më lejoi të bëja shumë gjëra të tjera”.
Gere kujtoi edhe sesi Edward i dukej thjesht “kostum”, por regjisori e siguroi se bashkë me Julia Roberts, “do ta gjenin personazhin”.
“Përfunduam duke u përpjekur vërtet të gjenim një personazh që kishte lidhje me strukturën dhe thelbin e skenarit. Që të ishte i përzemërt, joshës, argëtues, seksi, e dini? Të gjithë e donim njëri-tjetrin. Shumë besim, kaluam shumë bukur dhe nuk e kishim idenë që do të bëhej ajo që është”.
Filmi është realizuar me një buxhet të vogël dhe nuk pritej kurrë që do të shënonte fitime marramendëse në arkë për atë kohë. Sot është kthyer në një film klasik që u ka rezistuar viteve./tvklan.al