Pranvera Metolli: Jam pak e vogël në moshë për të përballuar një ndarje si ajo me Rezart Veleshjën, ju tregoj ç’ndodhi me ne të dy

Tre muaj pasi i dha fund historisë dy vjeçare me aktorin e humorit të Portokalli-së, Rezart Veleshnja, grimerja e efekteve speciale në kinema e televizion, Pranvera Metolli, e konsideron post ndarjen si një fillim të ri në jetën e saj. 22 vjeçarja rrëfen për herë të parë si erdhi ndarja e çiftit më pasionant të showbiz-it, marrëdhënia që ruajnë tani, përfshirjen në projektin e filmit “Kangur”, e të tjera projekte të rëndësishme.

Së fundmi të shohim që udhëton shpesh drejt Kosovës. Me kë po bashkëpunon atje dhe si ka ndryshuar jeta jote?
Udhëtimet e mia kanë qenë gjithmonë të shpeshta. Kam vite që bashkëpunoj me regjisorë të ndryshëm nga Kosova, gjithashtu edhe me kompani si “0pozitiv” apo kompania e filmit “AS film”, etj. Në Kosovë jam mirëpritur gjithmonë.
Pas ndarjes nga aktori i spektaklit të humorit “Portokalli”, Rezart Veleshnja, ju pamë në një foto sërish bashkë. Si mund ta komentosh marrëdhënien tuaj tani?
Ndarja me Rezartin nuk ishte diçka që na erdhi e papritur. Ajo po ndodhte gradualisht dhe të dy e prisnim atë gjë. Udhëtimet e shpeshta e ftohën marrëdhënien tonë si çift, por jo dashurinë për njëri- tjetrin. Foto që Rezarti postoi ishte nga dita e ditëlindjes sime. Ne e festuam bashkë atë ditë.
Si ta kuptojmë këtë lloj dashurie?
Rezarti do të ngelet gjithmonë tek unë mik shumë i mirë. Ne vendosëm që “luftën” ta përballojmë më vete, ama pa shkëputur marrëdhëniet tona shoqërore.
E vuajtët ndarjen dhe çfarë bëre ti për ta hedhur këtë histori dashurie pas krahëve?
Asnjë ndarje nuk është e lehtë të kalohet për askënd. Unë jam natyrë e brishtë kur bëhet fjalë për ndjenjat. Nuk jam mësuar të dështoj në jetë, duke qenë se kur hedh një hap mendohem mirë, dhe më pas veproj. Jam e lumtur për të vetmin fakt, që ajo ishte një eksperiencë e bukur nga e cila mësova shumë. Fitova një familje të mrekullueshme të dytë siç janë prindërit e Rezartit, me të cilët nuk i kam shkëputur marrëdhëniet në asnjë moment. Nuk është e thënë të duash dikë pafund e të jesh pranë tij gjithmonë…
Shërimi më i mirë në këtë rast për ty?
Shërimi më i mirë ishte puna. Menjëherë pas ndarjes nisa punën në Teatrin e Metropolit, ku përveç magjisë që të ofron teatri, gjeta dhe mbështetjen dhe ngrohtësinë nga i gjithë stafi, me të cilët nisa të punoj. Përfunduam me sukses shfaqjen “39 hapat” me regjizorin Qëndrim Rijani, dhe tani jemi në përgatitje të shfaqjes “Euridita”. Puna dhe koha shëron çdo gjë. Vetë njeriu është ndërtuar i tillë, të përballojë situata nga më të ndryshmet, edhe pse mua mu desh ta përjetoja në një moshë pak të vogël…
Me Rezin provuat bashkëjetesën. Ishte jetë e bukur apo e vështirë?
Bashkëjetesa me një artist ishte e veçantë. Nuk shkoi shumë gjatë jo për fajin tonë, por ndoshta për faj të rrethanave ku ndodheshim.
Ka lindur ndonjë dashuri e re këto kohë, dhe çfarë do të kesh parasysh tani e tutje kur të njihesh me një djalë?
Momentalisht jam në tre projekte dhe çdo ditë e imja është tepër e ngarkuar. Jam fokusuar totalisht tek ana profesionale, dhe dëshira ime e vetme është të eci sa më lart artistikisht. Përpara se të filloj të mendoj për një dashuri të re do të mendohem gjatë, shumë gjatë. Nuk dua kurrë të zhgënjej prindërit e mi, por dua që ata të jenë krenarë për mua, dhe po më mbështesin më shumë se kurrë që karriera ime të shkojë sa më lart.
Ke mësuar të ngrihesh pas një rënieje dhe si?
Nuk e mendoj si rënie, por më tepër si nje eksperiencë nga e cila mësova shumë gjëra.
Do të martoheshe me një artist një ditë?
Nuk kam menduar ende, dhe është shumë herët të mendoj për diçka të re apo si do të ishte ai person. Mjafton të gjej një ditë gjysmën time…

Horrori, zhanri im i preferuar në make up, ja prezantuesja që ka fituar zemrën time

Je bërë pjesë e serialit “Kangur”, si grimerja artistike e tyre. Nga duart e tua aktorët do të duken fashion apo sa më të zakonshëm?
Kur m’u propozua seriali “Kan’gur”, më intrigoi vërtet për vetë faktin e quajtur të tillë. Mendova ç’do të thotë ‘Kangur’? Zgjedhja e regjisorit, Luan Kryeziu, për realizimin e këtij seriali, ishte mjaft e veçantë dhe e mirëprita si projekt. Kjo është hera ime e parë si make up artist në një serial, dhe sa për grimin jemi bazuar në grimet natyrale, të thjeshta, duke qenë se skenari është bazuar të jeta e përditshme e njerëzve. “Kan’gur” për mua nuk është vetëm një projekt i rradhës, por një familje e madhe, ku Shqipëri-Kosovë- Maqedoni jemi vetëm një.
Të kemi parë shumë pranë Eva Muratit. Keni qenë mikesha më parë, apo jeni miqësuar tani dhe si mund ta përkufizosh shoqërinë tuaj?
Të gjithë e njohin të ëmblën Eva. Një vajzë e mrekullueshme, e cila nuk lodhet kurrë. Ajo është energjia e projektit tonë. U njohëm në serialin “Kan’gur”, dhe jam e bindur që shoqëria jonë nuk do të mbetet vetëm këtu. Ka fituar zemrën time si mikeshë.
Me cilët nga aktorët e tjerë je afruar, dhe cilët do të komentoje si me interesantët?
Nuk mund të bëj diferencime në lidhje me aktorët e tjerë, sepse të gjithë i dua shumë. Mund të specifikoj vetëm një emër, si Mehdi Malka. Kam nderin të ribashkëpunoj me një artist gjigand të artit shqiptar. Nga ai kam kuptuar që artisti nuk njeh moshë, por lind dhe vdes artist…
Nga filmat aksion e horror, të shohim në një serial bazuar në jetën reale. Ti ke talent më shumë për të zbukuruar, apo për t’i shëmtuar protagonistët?
Në serialin “Kan’gur” nuk do të ketë vetëm grim normal, por dhe efekte speciale. Unë kam studiuar zhanre të ndryshme të make up, pavarësisht se i preferuari im mbetet horrori.